Një tjetër fushë i shtohet qytetit të Tiranës dhe më konkretisht në kompleksin e ri të klubit Dinamo. Bëhet fjalë për një investim të përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të Dinamos, që vjen në vazhdën e investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe projektit madhor “100 fushat” të FSHF-së.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, inspektoi sot fushën e re që ndodhet në Arbanë së bashku me Presidentin e Dinamo, Ardian Bardhi, por edhe ambientet e reja të klubit, që konsistojnë në një hotel e restorant, apo të gjitha facilitetet e tjera që i nevojiten një klubi. Në këtë inspektim ai u takua edhe me disa nga fish-futbollistët e njohur të klubit dinamovit, që tashmë janë pjesë e stafit drejtues e teknik të klubit.
Investimi i fundit është kryer në bashkëfinancim mes FSHF dhe Dinamos me qeverinë e futbollit që ka kontribuar me një shumë të konsiderueshme për tapetin dhe vendosjen e fushës si edhe me ekspertët saj që kanë bërë të mundur ndërtimin e një fushe mjaft të mirë e ku mund të stërviten shumë të rinj.
Presidenti Duka në një prononcimi të dhënë për Fshf.org gjatë inspektimit theksoi se Federata i është bashkëngjitur projekti serioz të klubit Dinamo, duke dhënë mbështetjen për ndërtimin e fushës me tapet artificial.
Gjithashtu, ai bëri me dije se FSHF do të mbështesë financiarisht vijimin e projektit edhe për një tjetër fushë me bar natyral që do të ndërtohet po në klubin e Dinamos.
“Në dy-tre vitet e fundit Dinamo ka vërtetë një strategji, një projekt serioz për të zhvilluar klubin dhe këtij projekti serioz padyshim i është bashkangjitur Federata Shqiptare e Futbollit për të kontribuar bashkërisht për të zhvilluar infrastrukturën e për të krijuar kushte jo vetëm për ekipin e parë, por edhe për fëmijët, për akademitë dhe për të siguruar të ardhmen e klubit dhe të fëmijëve që i bashkohen klubit. Bashkërisht kemi përfunduar punimet për fushën e re të stërvitjes me tapet artificial dhe projekti do të vazhdojë me fushën tjetër në krah, që do të jetë me bar natyral për ekipin e parë kryesisht.
Por projekti në total i investimit është akoma më i madh edhe me kompleksin e ndërtuar që ka hotel dhe të gjitha ambientet e domosdoshme që i duhen një ekipi profesionist. Padyshim që nuk është as fillimi e as fundi i investimeve të Federatës së Futbollit për ndryshimin e infrastrukturës, për t’i shërbyer më shumë të ardhmes së futbollit. Ky projekt ka kohë që ka nisur dhe do të vazhdojë, pas këtij investimi në të njëjtën kohë ne jemi duke ndërtuar dhe disa fusha të tjera si në Kamëz, Vorë, Shkodër apo qytete të tjera, që do t’i shërbejnë të ardhmes së futbollit në Shqipëri”, – tha Presidenti Duka.
Ndërsa, presidenti i Dinamo, Ardian Bardhi, nga ana e tij falënderoi FSHF-në për mbështetjen e dhënë dhe premtoi se do të vazhdojë me projektet për zhvillimin e klubit.
“Në total ky është një investim apo një sakrificë që ne kemi për klubin. Gjej rastin të falënderoj FSHF-në për ndihmën që na ka dhënë për fushat, për zhvillimin e Dinamos, të akademisë, të ekipit të parë dhe për gjithçka tjetër që po bëjmë në kompleksin tonë. Shpresojmë që të vazhdojmë me investime të mëtejshme dhe të kemi sa më shumë suksese”, – theksoi Bardhi.
Po në kuadër të projektit “100 fushat” FSHF është duke investuar në disa fusha të tjera në disa qytete të vendit, që pritet të përfundojnë shumë shpejt.
(Video) Inaugurohet fusha e re në kompleksin e Dinamos, i pranishë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka