Andrea dhe Sebastian Gajtani, janë dy vëllezër shkodran, të lindur dhe rritur në Amerikë, por që mendjen dhe zemrën siç thonë vetë ato e kanë përherë në Shqipëri dhe konkretisht në Shkodër.
E gjitha kjo vjen nga përkujdesja prindërore e çiftit, Sandër dhe Albana Gajtani, të cilët mbi 20 vite më parë lanë Shqipërinë për tu zhvendosur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në shtëpinë e tyre flitet përherë shqip, gjë e cila pasqyrohet edhe edhe në të folurit pastër të gjuhës amtare nga fëmijët e tyre.
Saktësisht, origjina e tyre është nga fshati Gajtan i Shkodrës, një zonë historike me plot tradita kulturore dhe sportive, gjë që ka brumosur Sandrin, por edhe kushëririn e tij Kolë Gajtani, të cilët edhe pse larg Shqipërisë, krenohen me origjinën e tyre dhe sidomos me Shkodrën dhe Vllazninë, të cilën e ndjekin plot pasion dhe emocion përmes medias sportive.
Të dy vëllezërit, Andrea dhe Sebastian Gajtani, ishin këto ditë në Shkodër, pasi Sebastiani ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U-17 për ndeshjet miqësore kundër Kombëtares së Maqedonisë së Veriut.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, ato flasin për karrieren e tyre sportive, ku në rolin e mesfushorit luajnë në kampionatet rajonale dhe kombëtare amerikane duke spikatur për nivelin e tyre cilësor.
Angazhimin e tyre me ekipet kombëtare të Shqipërisë, ato e kanë pritur mjaft mirë duke e konsideruar një privilegj të madh të veshësh uniformën kuqezi.
Andrea, katër vite më i madh ka provuar të këtë më shumë ndeshje dhe minuta në këmbët e tij, por pas nuk mbetet as Sebastiani, ku në një farë mënyrë, ka edhe një garë personale për mundur njëri tjetrin.
Gjithësesi, ajo që i bashkon është fanela e kombëtares së Shqipërisë, të cilën ato e mbajnë si gjënë më të shtrenjtë. Por, ndërkohë, kanë edhe një dëshirë dhe ëndërr tjetër, që një ditë të luajnë edhe për Vllazninë e Shkodrës, gjë që e shprehen gjatë intervistes që Veriu Sport realizoi me to në qilimin e blertë të stadiumit “Loro Boriçi”.
(Video) Intervisten e plotë me dy vëllezërit futbollistë, Andrea dhe Sebastian Gajtani, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU