(Video-Intervista) Edlir Tetova: Fitore sot në finale me Dinamon. Egnatia kërkon fitoren e dytë radhazi të Kupës së Shqipërisë

Prononcimi i trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova në prag të finales së Kupës së Shqipërisë përballë Dinamos

Tetova, si po e menaxhon skuadra këtë moment pozitiv para finales së Kupës?

Është një ogur i mirë për skuadrën, ku kemi ardhur tani te finalja e “vogël” për të tretin vit radhazi. Kjo është një kënaqësi e madhe për të gjithë ne, por falë punës jemi me meritë këtu ku jemi. Gjërat do të merren me radhë, nesër (sot) është një finale kundër Dinamos, një ekip që ka bërë mirë dhe është shumë i stabilizuar taktikisht.

Cila do të jetë filozofia juaj në këtë finale, kontrolli i lojës apo pragmatizmi?

Në futboll thuhet se finalet duhen fituar dhe duhet të jemi të kujdesshëm te kjo pjesë. Përderisa jemi në finale, janë dy ekipet më të mira, ndaj mendoj që nga të dyja ekipet do të jetë një lojë e kujdesshme.

A i synoni sërish të gjitha si sezonin e kaluar?

Sezonin e kaluar e mbyllëm me dy trofe vitin dhe tani është mbrojtja që duhet të bëjmë. Mendoj se, të mbrosh një titull, është më e vështirë sesa ta fitosh. Megjithatë, çdo gjë ngelet për t’u parë nesër (sot).

Sa i përket lojës, sa fleksible do të jetë Egnatia në këtë ndeshje?

Kjo do të varet nga ajo se çfarë do të paraqesë loja dhe më pas do të shohim se çfarë mund të operojmë.

Si paraqitet gjendja e grupit në aspektin fizik dhe psikologjik?

Përveç Malotës dhe Ndrecës, pjesa tjetër e grupit është në rregull. Përderisa jemi këtu me këtë ecuri si në kampionat edhe në Kupë, atmosfera në ekip është shumë e mirë.

Egnatia është ndër skuadrat më të balancuara në Superiore. Si e keni ndërtuar këtë ekuilibër?

Në fillim të sezonit, kemi pasur disa oshilacione në lojë, deri në stabilizimin e prurjeve të reja. Nga janari i këtij viti, kemi merituar çdo gjë këtu ku jemi.

Një aksion mund të vendosë ndeshjen, si e përgatisni skuadrën për të qenë gati në finale të tilla?

Një finale është pikante nga situatat apo detajet. Kush do të jetë në shumë i fokusuar, do të dalë edhe fitimtar nga kjo ndeshje.

Çfarë kërkoni nga çdo repart në këtë ndeshje?

Nga e gjithë skuadra duhet kompaktësi, stabilitet shumë i madh taktik dhe shumë durim.

Përmblidheni me një fjalë Egnatian nga ana taktike…

Ta nxjerrim nga ana taktike, e gjithë ajo që të ofron grupi dhe që kemi përjetuar të gjithë bashkë, është identiteti familje.

(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, në prag të finales së Kupës së Shqipërisë me Dinamon, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Vladimir MEMA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu