Korabi-Vllaznia volej femra 0-3 dhe Elbasani-Vllaznia volej meshkuj 0-3, janë rezultatet e Javës së dytë të Kampionatit Kombëtar të Superligës së volejbollit duke shënuar.
Një javë kjo e suksesshme për ekipet kuqeblu, të cilët në të dy sfidat përkatëse dominuan mbi kundërshtarët respektiv.
Për tu theksuar është fitorja e ekipit të meshkujve, e dyta radhazi pas asaj të realizuar në shtëpi ndaj Skënderbeut të Korçës. Për javën e dytë, djemtë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, ishin mysafir në Elbasan, në një ndeshje që e dominuan nga fillimi deri në fund.
Për këtë flet qartë edhe rezultati i pastër, 0 me 3 në favor të Vllaznisë. Seti i parë mbyllet me shifrat 18 me 25në favor të kuqebluve, për të vijuar edhe me të dytin me të njëjtin rezultat 18-25, ndërkohë që në të tretin rezultati në favor të Vllanzisë është edhe më i thellë me shifrat 17-25.
Me dy fitore radhazi, Vllaznia, pas javës së dytë, është kryesuese e renditjes së kampionatit të Superligës së volejbollit meshkuj, ndërkohë që në javën e tretë pret në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” Studentin, ndeshje kjo e planifikuar për t’u luajtur të premten e javës së ardhshme duke filluar nga ora 18:00.
Me fitore e ka mbyllur javën e dytë edhe ekipi i volejbollit të femrave, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Dorian Tafa, sfidoi Korabin në transfertë duke e mundur me rezultatin e pastër 0 me 3.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit të Farkës paraqiti një Vllazni shumë të mobilizuar në fushën e lojës, ku ndryshe nga përballja e javës së kaluar që u mundën në shtëpi nga Skënderbeu me rezultatin 0 me 3, këtë radhë vajzat e reja kuqeblu kanë treguar një nivel në rritje të lojës së tyre duke dhënë sinjale pozitive për të ardhmen.
Ndonëse dibranet tentuan të mos pranojnë diktatin e Vllaznisë duke bërë një rezistencë deri tek pika e 18-të, më pas janë volejbollistet kuqeblu që shkëputen duke e fituar setin e parë me shifrat 18-25. Atë që nuk e bëri në setin e parë Korabi vendas tentoi ta bëjë në setin e dytë, ku pas një rivaliteti jo të vogël, është përsëri Vllaznia që shkëputet në pikët e fundit duke e fituar edhe setin e dytë me shifrat 21-25.
Pas avantazhit me sete 0 me 2 për Vllazninë, dibranet bien moralisht duke i dhënë mundësi volejbollisteve kuqeblu ta fitojnë më lehtësisht setin e tretë me shifrat 14-25 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 0 me 3. Javën e tretë të Superligës së femrave, Vllaznia luan në shtëpi duke pritur ekipin e Dinamos.
(Video) Pamje nga ndeshjet, Korabi-Vllaznia 0-3(Volej F), Elbasani-Vllaznia 0-3(Volej M). Superliga volej, java e 2.