Xhudistet e Vllaznisë që drejtohen nga ish xhudisti kampion Luigj Shkoza, prodhim i një familje tipike sportive kushtuar tërësisht arteve marciale, kanë bërë një prezantim shumë të mirë në garat kombëtare të Kupës së Shqipërisë 2024 të zhvilluara në Tiranë.
Nëntë pjesëmarrës kishte Vllaznia në këtë aktivitet, dhe ndër to, pesë prej tyre arritën të fitojnë vendet e para në peshat e tyre, ndërkohë katër të tjerë u renditën në vendin e dytë.
Konkretisht, xhudistja Krista Kovaçi ishte më e mira e peshës deri në 63 kg, ku duke mposhtur të gjitha rivalet e saj u shpall fituese e vendit të parë. Suksesin e Krista Kovaçit e kanë pasuar edhe kolegët e saj të Vllaznisë, Glenis Goka konkurues në peshën deri në 66 kg, Kristian Gjoni, konkurues i peshës deri në 73 kg, Alfredo Gjoka në peshën deri në 60 kg si dhe Xhovani Shkoza, konkurues në peshën deri në 73 kg.
Krahas pesë vendeve të para, një figurë shumë të mirë sportive kanë bërë edhe xhudistët e tjerë të ekipit Vllaznia: Paulo Zhuri konkurues në peshën 60 kg, Viktor Marku në peshën 66 kg, Ronaldo Toma në peshën 73 kg dhe Markeljan Tanushi, konkurues në peshën e rëndë deri në 100 kg, xhudistë këto që u renditën të dytët në peshat e tyre përkatëse.
Kupa e Shqipërisë ishte aktiviteti i fundit Kombëtar për këtë vit në kalendarin e Federatës Shqipare të Xhudos, ndërkohë që në kalendarin e aktiviteteve ndërkombëtare, Shqipëria do të përfaqësohet në garat e Kupës së Europës që do të zhvillohen në Selanik të Greqisë, ku me interes pritet konkurimi i xhudistes së Vllaznisë Krista Kovaçi në kategorine e peshës deriu në 57kg.
Rezultatet teknike të judistëve të Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë
Kampionët
Krista Kovaci -63 kg vend i parë
Glenis Goka -66kg vend i parë
Kristjan Gjoni -73kg vend i parë
Alfredo Gjoka +60 kg vend i parë
Xhovani Shkoza – 73 kg vend i parë
Nënkampionët
Paulo Zhuri -60 kg vend i 2-të
Viktor Marku – 66kg vend i 2-të
Ronaldo Toma – 73kg vend i 2-të
Markeljan Tanushi -100kg vend i 2-të
(Video) Pamje nga garat e judistëve të Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë 2024, ku kuqeblutë fituan 5 vende të para dhe 4 të dyta)