Tuesday, December 2, 2025

(Video) Këshilli Qarkut Shkodër, “Mirënjohje” për 5 gazetarët sportiv shkodran: Ymer Striniqi, Ramadan Bigza, Mejdan Zhivani ( pas vdekjes ), Namik Mehmeti e Gaspër Marku

Lexo

- Reklamë -spot_img

Përmes një ceremonie të organizuar mesditën e së martës në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, Këshilli i Qarkut Shkodër, me propozim të KF Vllaznia, nderoi me Çertifikata “Mirënjohje” pesë gazetarët sportiv shkodran, Ymer Striniqi, Ramadan Bigza dhe Mejdan Zhivani ( pas vdekjes ) si dhe për Namik Mehmetin e Gaspër Markun që vazhdojnë të jenë aktiv në medien sportive, duke vlerësuar kontributin e tyre në promovimin dhe dokumentimin e historisë së sportit.

Krahas përfaqësuesve të qeverisjes vendore nga Këshilli i Qarkut Shkodër, Bashkia Shkodër, etj, të pranishëm ishin një pjesë e madhe e sportistëve e trajnerëve veteranë dhe atyre që janë në aktivitet, për të cilët gazetarët sportiv në fjalë nuk i kanë kursyer kronikat për karrieren e tyre sportive.

“Kam kënaqësinë që si kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër, të nderoj disa prej emrave të shquar të gazetarisë sportive në qytetin tonë. Me përulësi dhe respekt i kujtojmë Ramadan Bigzën, Ymer Striniqin dhe Mejdan Zhivanin, tre figura që, edhe pse nuk janë më fizikisht mes nesh, mbeten të gjallë në kujtesën tonë përmes pasionit, përkushtimit dhe kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në pasqyrimin e sportit shkodran.

Një mirënjohje e veçantë shkon për Namik Mehmetin dhe Gasper Markun, dy personalitete që edhe sot, me shembullin dhe profesionalizmin e tyre, vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë gazetarësh dhe sportdashësish. Gazetaria sportive nuk është vetëm raportim, ajo është art, pasion dhe mision. Është ruajtje e kujtesës kolektive, është histori që transmetohet me ndjenjë e përgjegjësi. Falë këtyre emrave, historia dhe emocionet e Vllaznisë janë bërë pjesë e identitetit tonë, duke i dhënë Shkodrës një zë të fuqishëm në gjithë hapësirën shqipfolëse dhe përtej kufijve.”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryetari i Qarkut Shkodër Edmond Ndou.

Emocionet e një vlerësimi të tillë janë të pranishme si tek familjarët e gazetarëve që nuk jetojnë më, ashtu edhe tek kolegët, miqtë dhe bashkëpunetorët.

Vlerësimi i parë ka ardhur për Ymer Striniqin(pas vdekjes), ku Çertifikata e “Mirënjohjes” është tërhequr nga vajza e tij, Eda, e cila falenderoj organizatorët për nderimin që iu bë babait të saj.

E ardhur nga Greqia ku jeton me familjen e saj, Monda Bigza, ka tërhequr vlerësimin “Mirënjohje” dhënë në nderim të bashkëshortit të saj, Ramadan Bigza (pas vdekjes). Ndërkohë që nga familja Zhivani, Çertifikaten “Mirënjohje” në nderim të Mejdan Zhivanit(pas vdekjes), traditën e të cilit po e ndjekin dy nipërit e tij, Klodiani dhe Maringleni,  e ka tërhequr vëllai i Mejdanit, Sokol Zhivani.

Me shumë emocione, e përjetoi vlerësimin e bërë në adresë të tij, gazetari i vjetër sportiv Namik Mehmeti, i cili krahas kontributit të dhënë për vite me radhë për rreth pesë dekada në qytetin e Shkodrës, vitet e fundit jeton në Firenze me familjen e tij, ku nuk e ndërpret bashkëpunimin mediatik me Shkodrën.

Po kështu, edhe gazetari sportiv Gaspër Marku, duke shprehur mirënjohjen për ato që e bënë të mundur këtë nderim për gazetarët shkodran, Qarkun Shkodër me kryetar Edmond Ndou dhe KF Vllaznia me president Alban Xhaferi, tha ndër të tjera se gazetarët sportiv shkodran, janë me fat që jetojnë në Shkodër, në këtë qytet ku historia dhe tradita e shumë sporteve e ka zanafillen prej këtu.

Në fjalën e tij, Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, propozimi i të cilit gjeti mbështetjen e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou,  për vlerësimet ndaj Ymer Striniqit, Ramadan Bigzës dhe Mejdan Zhivanit ( pas vdekjes ) si dhe për Namik Mehmetin e Gaspër Markun që vazhdojnë aktivitetin e tyre mediatik, tha se kontributi i këtyre figurave mediatike është i madh për gjithçka ka ndodhur në botën e futbollit dhe jo vetëm, dhe mbetet i jashtëzakonshëm, si dhe një vlerësim i tillë është minimumi që mund të bëjmë për ta.

Ndërkohë, në shenjë nderimi dhe mirënjohje, presidenti kuqeblu i dorëzoi familjarëve të Striniqit, Bigzës dhe Zhivanit, si dhe Mehmetit dhe Markut, nga një fanelë të ekipit të zemrës, Vllaznia.

Me respekt dhe konsideratë për punën e gazetarëve të dekoruar dhe punën e komunitetit mediatik në përgjithësi, foli edhe nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza Shala duke theksuar se kjo iniciativë vjen si një shenjë vlerësimi për kontributin e pazëvendësueshëm të gazetarëve sportivë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sportive të Shkodrës, duke i dhënë zë një qyteti që historikisht ka qenë zemra e sportit shqiptar.

 

Një pamje edhe më të plotë eventit në fjalë i dhanë edhe përshëndetjet e ardhur nga profesor Astrit Dervishi, pjesë e një familje të njohur sportive në Shkodër, Mhill Shkëmbi, ish arbitër dhe drejtues për shumë vite i kolegjumit të arbitrave të futbollit Shkodër, Kujtim Dervishi, një nga drejtuesit më jetëgjatë të arsimit në Shkodër, sot drejtor i Mederesesë “Haxhi Sheh Shamia” Shkodër dhe një tifoz i zjarrtë i Vllaznisë që në moshën 6 vjeçare, si dhe legjenda e gjallë e sportit të Judos, Anton Shkoza.

(Video) Pamje dhe prononcime të protagonistëve të aktivitetit.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img