Lidhja mes Shtëpisë së të Moshuarve Shkodër dhe KF Vllaznia, ka kohë që është mjaft e afërt dhe bashkëpunuese gjatë viteve të fundit. Dhe, kjo falë edhe drejtorit të “Shtëpisë së të Moshuarve”, Shkodër, Fatjon Hoxha, i cili është një pasionant i madh i sportit dhe kryesisht futbollit, i cili është edhe kordinuesi kryesor mes dy palëve.
Nuk është hera e parë, sepse më herët, përfaqësues të KF Vllaznia kanë vizituar gjyshat dhe gjyshet që trajtohen në këtë shtëpi të moshuarve duke dorëzuar dhurata me rastin e festave të ndryshme të vitit.
Por, këtë radhë, takimi ka qënë disi ndryshe, pasi dy presidentët e KF Vllaznia Alban Xhaferi dhe ai i KFF Vllaznia Lazër Matija, kishin rezervuar një drekë festive, duke i ftuar të moshuarit të akomodohen në restorantin më të ri, “Stad_Yummy”, në katin e tretë të tibunës qëndrore të stadiumit “Loro Boriçi”, i vënë në funksion rreth një muaj më parë në shërbim të trajtimit të futbollistëve kuqeblu, por edhe për shërbim të lirë.
E veçanta ka qënë se shërbimi ndaj të moshuarve, të cilët janë tifozë dhe mbështetës të ndeshjeve të Vllaznisë, është bërë nga vetë futbollistët kuqeblu të të dy klubeve, femra dhe meshkuj, të cilët njëkohësisht kanë dorëzuar edhe dhuratat e fundvitit për secilin prej tyre.
Video në fjalë e shpërndarë nga zyra e shtypit e KF Vllaznia, përshkruan gjestin kuptimplotë të futbollistëve ndaj moshës së tretë.
“Drekë me gjyshat në prag të festave të fundvitit! KF Vllaznia mirëpriti në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” banorët e Shtëpisë së të Moshuarve, me një drekë të veçantë në restorantin Stad_Yummy. Gjyshat mbështesin gjithmonë skuadrën tonë kur luajmë në shtëpi, prandaj zgjodhëm të ndajmë me to një drekë festive, plot gëzim, dhurata dhe mirënjohje.”