Vllaznia U17-Teuta U17, 1-1(Shënues: Daniel Marku 79’/Etrit Gjuzi 52’. Penalltitë 4-5)
Formacioni i Vllaznisë U17: Kevin Bajrakurtaj, Andrea Gjeka, Alfredo Dukaj, Emiliano Mani, Armando Vuksani, Erik Lulaj, Sokol Uldedaj, Nikolas Gjoni, Ronaldo Therqaj, Simos Uldedaj, Gjozef Selja(U aktivizuan: Arjon Bega, Orges Halili, Daniel Marku). Trajner: Ivo Shestani
Ashtu si edhe takimi çerekfinal i Kupës së Shqipërisë mes 19-vjeçarëve të Vllaznisë dhe Dinamos, edhe ai në mes 17-vjeçarëve, Vllaznia-Teuta, për të përcaktuar ekipin që kualifikohet në turin e dytë, janë dashur gjuajtjet e penalltive.
Kuqeblutë “kopjojnë” U19-tën. Barazim 1-1, koha e rregullt, ndërkohë Teuta kualifikohet me gjuajtjen e penalltive, 4-5.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e “Shtëpisë së Futbollit” Tiranë, është shoqëruar me një rivalitet shumë të fortë, ku durrsakët kanë qënë shumë shpejt pranë golit të avantazhit, pasi në minutën e dhjetë, arbitri kryesor i takimit Toska akordoi penallti në favor të tyre.
Gjuajtjen nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit nga ana e sulmuesi të Teutës, Enri Mansaku e ka pritur në mënyrën më të mirë portjeri shkodran Kevin Bajrakurtaj, i cili me një zhytje nga krahu i majtë bllokon goditjen e Mansakut.
Minutat në vazhdim nuk ka gol në anjërën prej portave duke lënë në fuqi rezultatin e barabartë, 0 me 0, shifra këto të cilat qëndrojnë deri në mbylljen e pjesës së parë.
Megjithatë, atë që nuk e bënë në pjesën e parë, durrsakët e realizojnë në pjesën e dytë, kur kalojnë në avantazh në minutën e 52-të me autor Etrit Gjuzin.
Kuqeblutë nuk dorëzohen, dhe pas një presioni në portën e Teutës arrijnë të barazojnë rezultatin në të 79-tën minutë, falë golit të shënuar nga Daniel Marku, i ardhur nga stoli 14-të minuta më herët.
Edhe pse në vazhdim, përpjekjet e të dyja skuadrave janë të shumta, koha e rregullt e kësaj ndeshje u mbyll në barazpeshë 1 me 1.
Kështu, ashtu si edhe 19 vjeçarët që luajtën në mesditë, për të përcaktuar ekipin që kalon në turin tjetër janë dashur gjuajtjet e penalltive.
Për Vllazninë realizojnë radhazi katër penalltitë e para, dy vëllezërit Sokol dhe Simon Uldedaj, Daniel Marku dhe Alfredo Duka. Në të njëjtën kohë, edhe Teuta tregohet e saktë me Gjuzin, Dervishin, Caren, Dedjen duke shkuar në penalltinë e pestë me shifrat e barabarta, 4-4.
Por, pikërisht në këtë të fundit, durrsakët tregohen më të saktë, pasi Naim Gripshi shënon, ndërkohë që nga ana tjetër Vuksani e shpërdoron për Vllazninë, duke bërë që Teuta të fitojë 4-5 me panallti dhe të kualifikohet në turin tjetër.
(Video) Ndeshja për kategorinë U17, Vllaznia-Teuta e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.



