Paraditja e së mërkurës ka shënuar nisjen e skuadrës kuqeblu drejt Austrisë, aty ku skuadra do të qëndrojë për një periudhë dy javore duke u përgatitur për ndeshjet e turit të dytë të Conferencë League.
I pranishëm në sheshin përpara stadiumit “Loro Boriçi” në momentet e nisjes së futbollistëve ka qënë edhe presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili krahas futbollistëve të tjerë, ka pasur një takim miqësor me blerjen më të re të kuqebluve, Herald Markun, zyrtarizimi i të cilit me skuadrën shkodrane është bërë në orët e mëngjesit të sotëm.
Për t’u theksuar është se krahas titullarëve kuqeblu, me skuadrën ka udhëtuar edhe një kontigjent i futbollistëve të rinj të ardhur nga Akademia Vllaznia. Ndërkohë, shqetësuese për teknikun Josa, mbetet mungesa e sulmuesit Liridon Latifi, i cili prej disa ditësh po kalon një gjendje jo të mirë shëndetësore.
Për Latifin, blerjen më të fundit, Herald Markun, si dhe përgjithësisht për situatën në skuadër dhe programin stërvitor në Austri, ka folur për mediat, trajneri, Mirel Josa, prononcim të cilin do ta ndiqni pas pak në portalin Veriu Sport.
Nga sa bëhet e ditur, Vllaznia do të qëndrojë në Austri deri më 13 korrik, për t’u rikthyer sërish në Shkodër ku do t’i japë dorën e fundit përgatitjeve për pragndeshjen me ekipin rumun Universitatea Craiova, që do të luhet ne datë 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi”.
(Video: Nisja e Vllaznisë drejt Austrisë për fazën përgatitore)