Wednesday, April 24, 2024

(Video) Lamtumirë Shaban! Ndahet nga jeta në moshën 76 vjeçare, tifozi i flaktë i Vllaznisë, Shaban Ferhati(Piranej), miku i futbollistëve dhe gjithë shkodranëve.

Lexo

Në Shkodër janë të gjithë tifozë të sportit dhe posaçërisht ndaj Vllaznisë së futbollit. Në historinë e saj shumë vjeçare, qyteti verior mban mend emra të shumtë të brezave të ndryshëm, që nga ato të viteve të paraçlirimit dhe deri në ditët e sotme.

Mes tyre, është edhe një emër krejt i veçantë. Shaban Ferhati(Piranej), këpucari, mjeshtër i profesionit të tij që krahas të tjerave ishte i profilizuar për këpucët e sportit. Një person shumë popullor në qytetin e Shkodrës dhe më gjërë, i cili ndërroi jetë një ditë më parë. Një lajm ky i hidhur për familjen e tij, por edhe për komunitetin shkodran, me të cilin ai ishte qa shumë i lidhur.

Por, ndër të tjera, të qënurit tifoz, e bënë atë që të specializohej për riparimin e këpucëve të sportit, një shtysë më shumë kjo që ai të lidhej aq shumë me futbollin.

15 vitet që ai shërbeu si këpucar direkt i klubit Vllaznia ishin më të bukurat e jetës së tij, pasi e afruan edhe më shumë me futbollin. E mandej, vijnë edhe vitet e tjera të ushtrimit të profesionit privat, kur në dyqanin e të lagjes Parrucë, klientela e tij dominohej nga futbollistët.

Me qindra e mijëra futbollistë të kategorive të ndryshme, që nga ato më të njohurit e futbollit shqiptar, deri tek amatorët e futbollit të moshave, kanë pasur rastin ta vitojnë këtë dyqan. Problematika e terreneve sportive, por edhe kushtet ekonomike në pamundësi për të sigurar këpucë të reja, sidomos në vitet e hershme, kanë detyruar futbollistët të riparonin këpucët e tyre tek Shabani.

Jo vetëm, që ia riparonte, shpesh herë edhe falas, apo edhe me çmime simbolike, por shoqëria dhe miqësia me këto futbollistë shtohej dita-ditës. Falë kësaj miqësie, në mjediset modeste të dyqanit të tij ekzistojnë foto të shumta sportive të futbollistëve të të gjithë brezave, shumë prej tyre edhe ekskluzive duke e shndërruar atë në një minimize të sportit shkodran.

Madje, mes tyre, ka edhe kujtime me gazetarët sportiv, të cilët nuk kanë hezituar ta evidentojë në komentet e tyre mediatike, ku përpos profesionit si specialist i mirëfilltë i kësaj fushe, të qënurit tifoz të flaktë të Vllaznisë, e bënte atë krejt të veçantë me bashkëqytetarët e tij dhe më tej.

Intervistat e Shaban Ferhatit(Piranej), mes të cilave edhe ajo e Veriut Sport e realizuar një vit më parë, flasin qartë për pasionin e jashtëzakonshëm që ai kishte për Vllazninë, për emocionet e shumta që i ka kaluar, qoftë për sukseset, por jo pak edhe për dështimet, siç ishte njëra prej tyre edhe rënia nga kategoria, moment që ai e ka përjetuar në mënyrën më të keqe.

E pra, fatkeqësisht, këtë person kaq popullor për Shkodrën dhe më gjërë, që nga mbrëmja e 8 nëntorit 2022 nuk e kemi më mes nesh. Një sëmundje që e mundoi muajt e fundit, bëri që Shabani të ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare. Ai do të mungoi fizikisht, por Shabani do të kujtohet gjatë nga bashkëqytetarët e tij. Dyqani, në të cilin ai punoi prej vitesh edhe me kolegun e tij të afërt, do të vijojë të mbetet në kujtesë  si dyqani i Shabanit, brenda të cilit do të jetë patjetër edhe minimuzeu i përgatitur me aq kujdes nga vetë Shabani, të cilin ai e  ka lënë amanet.

Lamtumir Shaban! Shkodra, humbi një qytetar të denjë, një specialist të mirëfilltë në profesionin e këpucarit, por më së shmmtmi edhe tifozin e flaktë të Vllaznisë!

(Video) Këpucari i njohur shkodran, 75 vjeçari Shaban Ferhati, një jetë të tërë tifoz i flaktë me Vllazninë-Intervista dhe pamje nga minimuzeu sportiv ne dyqanin e tij, marrë nga Veriu Sport një vit më parë) 

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img