Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër, në të cilën aderojnë 1500 fëmijë të moshës nga 9 deri në 19 vjeç, pjesëtarë të 21 shoqatave, ka mbyllur punimet e Asamblesësë Përgjithshme.
Një asamble ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha shoqatave të futbollit që operojnë në rajonin e Shkodrës, në të cilën, me prezencën edhe të përfaqësuesve nga Federata Shqiptare e Futbollit, mes të cilëve edhe ish futbollisti shkodran, Fatbardh Jera, në cilësinë e antarit të Komitetit Ekzekutiv, ka analizuar punën një vjeçare, si dhe pika të tjera të rendit të ditës.
Lazer Matija, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër ka mbajtur raportin përkatës duke analizuar punën një vjeçare të kësaj shoqate. Kreu i kësaj shoqate, është shprehur i kënaqur me ecurinë e aktivitetit të shoqatës rajonale Shkodër gjatë vitit që lamë pas.
Ndër të tjera, ai veçoi se gjatë vitit të kaluar janë organizuar 810 ndeshje futbolli, nga të cilat 657 ndeshje kampionati dhe 153 ndeshje kupe nga Shoqata Rajonale Shkodër, në të cilat janë aktivizuar mbi 1099 futbollistë, femra dhe meshkuj, të të gjitha moshave.
Gjithashtu janë aktivizuar 355 sportiste, femra dhe meshkuj, në ligen profesioniste, me një total prej 1454 fëmije. Sipas rendit të ditës, punimet e asamblesë kanë vijuar me miratimin e pasqyrave financiare te vitit 2022 dhe miratimin e buxhetit për vitin 2023. Punimet e asamblesë kanë vijuar me zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë shoqatën rajonale të Shkodrës në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, të cilët janë: Lazer Matija, Brikeno Bizi dhe Alfred Pjetri.
Ndërkohë, Asambleja ka miratuar pranimin në shoqatën rajonale të Shkodrës të pesë shoqatave të reja sportive, Shkodra 2006, The Door, Don Bosko, Vllaznia Femra dhe Basania, të cilat në periudhën në vazhdin do të jenë anetare me të drejta të plota.
Për periudhën e tre viteve në vazhdim të mandatit katër vjeçar, Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër, me mbështetjen e FSHF-se, do të këmbëngulë që në bashkëpunim me pushtetin vendor të ketë më shumë vëmendje për futbollin amator, sidomos në përmirësimin e infrastrukturës sportive, e cila për momentin lë shumë për të dëshiruar dhe kryesisht për ndërtimin e një kompleksi sportiv rajonal, i cili të administrohet nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër.
(Video) Punimet e Asamblesë së Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër)