Ervin Skela është një ndër ambasadorët e vendit tonë, pasi ka arritur që për më shumë se 3 dekada të ngrejë lart flamurin kuqezi, duke lënë një trashwgimi të madhe me fanellën e Kombëtares. Pas një karriere të pasur si futbollist, ish-mesfushori vlonjat i është përkushtuar botës së trajningut, e prej 5 vitesh është pjesë e një prej akademive më të njohur në Gjermani e jo vetëm, si ajo e Eintracht Frankfurt.
49-vjeçari mban rolin e teknikut tek skuadra U-19 e kësaj akademie, ku ka shkëlqyer e së bashku me skuadrën bardhezi ka shkuar deri në 1/8 e Youth League. Si truri i akademisë sw Frankfurtit, Skela është kthyer në një ikonë në këtë klub, ku krahas eksperiencës së fundit si trajner ka luajtur me këtë skuadër dhe në periudhën 2001-2004.
FSHF TV udhëtoi drejt Frankfurtit për për të sjellë një rrëfim unik dhe të veçantë të vlonjatit, në episodin e parë të reportazheve “Shqiptarët në Europë”. Ish-fantazisti kuqezi tregon se kjo aventurë ka patur momente të bukura, por dhe të vështira.
“Viti im i dytë ka qenë i vështirë, sepse 19-vjeçarët që ne drejtonim, në atë vit hoqën trajnerin. Ishin 6 ndeshjet e fundit dhe ndodheshim në vendet e fundit, për të rënë nga liga dhe u vendosa unë si trajner. Të them të drejtën, ka qenë një eksperiencë edhe për mua komplet tjetër sepse është ndryshe kur ndodhesh tek pjesa lart që është diell dhe ndryshe kur ti je poshtë aty ku ka vetëm probleme, shi dhe stres çdo ditë.
Ishte një punë shumë intensive për gjashtë javë, për të cilën mua më ka ardhur edhe shumë mirë, sepse kam pasur atë anën tjetër të medaljes që unë duhet t’ia dal kësaj, sepse në qoftë se ia dal kësaj vështirësie do e kem shumë herë më të lehtë kur gjërat të shkojnë mirë.
Dhe faktikisht jam shumë i lumtur për çunat që ishin atëherë që ia dolëm sepse treguan karakter dhe normal atë vit fituam edhe Kupën e Gjermanisë këtu. Kanë qenë dy momentet e mia, pjesa që rrezikuam rënien nga liga, por që në fund ia dolëm dhe ka qenë një emocion jashtëzakonisht i madh. Ka qenë një presion i jashtëzakonshëm por kur ia del, lirohesh nga çdo lloj emocioni dhe normal Kupa e fituar me 19-vjeçarët në Frankfurt po në atë edicion”.
Ndonëse Gjermania është një shtëpi e dytë për Skelën, pasi banon prej më shumë se një dekade dhe ka ndërtuar jetën e tij në këtë vend, jeta e tij është lidhur gjithnjë me Shqipërinë. 49-vjeçari ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe Tiranës në të shkuarën në hapat e para të karrierës, ndërsa pas aventurës si futbollist ndoqi rrugën akademike për t’u bërë trajner pikërisht në Shqipëri, duke ndjekur kurset e Federatës Shqiptare të Futbollit. E ardhmja është një e panjohur që askush nuk e di dhe për Skelën nuk përjashtohet mundësia që një ditë të jetë dhe në krye të një skuadre në Abissnet Superiore.
“Në vitet e fundit si lojtar, ka qenë Agim Zeqo, president i Skënderbeut asokohe, më ka ofruar që të bashkohesha me skuadrën korçare. Po bënin një ekip që donte të shkonte në Champions. Si trajner nuk kam pasur oferta, pasi njerëzit mendojnë se unë nuk kthehem në Shqipëri, pasi jam në Gjermani e këtu ndihem shumë mire.”
Ëndrra e madhe e Skelës është që një ditë të jetë përsëri pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, por këtë herë në rolin e trajnerit, ndonëse e sheh ende të largët atë ditë që ai të vihet në krye të pankinës kuqezi.
“Ëndrra e çdo ish-futbollisti të Kombëtares që pretendon të jetë trajner, nuk diskutohet që është për të qenë një herë trajneri i Kombëtare. Për mua do ishte një ëndërr. Nëse një ditë do më kërkonte kombëtarja e Shqipërisë, për të cilën mendoj se është ende larg, në mënyrë absolute që do pranoja, do vija me biçikletë është një shprehje këtu në Gjermani. Do nisesha që tani, direkt”.
Vlonjati po ashtu rrëfen lidhjen që ka me ish-lojtarët e tjerë të Kombëtares së Shqipërisë, që sot janë integruar në arenën ndërkombëtare, duke i vlerësuar për punët e tyre. Nga hapat e parë të karrierës e deri tek mundësia që një ditë të jetë trajner i djalit të tij, Skela tregon gjithçka për FSHF TV, në episodin e parë të reportazheve “Shqiptarët në Europë.


