Federata Shqiptare e Notit ka organizuar aktivitetin e Kupës së Shqipërisë, i dyti për nga rëndësia për vitin 2024. Krahas ekipeve më të mira të kampionatit shqiptar, pjesë e këtij aktiviteti ka qënë edhe Shoqata Sportive “Shkodra Not” e drejtuar nga trajneri, ish kampioni I notit shqiptar, Kolë Shiroka.
Si përfaqësuesit zyrtar të klubit të notit Vllaznia, ekipi i Shoqatës Sportive “Shkodra Not” u përfaqësua me 10 sportistë: Viki Tafrruku, Elia Lika, Andia Pemaj, Melodi Mimaj, Alkeo Isufi, Matia Jubani, Joel Golemi, Dean Vajushi, Kol Rupa dhe Alessandro Hyso.
E veçanta e formacionit kuqeblu ka qënë konkurimi për herë të parë me ekipin e notarëve shkodranë, i sportistit Alessandro Hyso, një shqiptaro-italian i cili me kërkesën e familjes drejtuar Shoqatës Sportive “Shkodra Not”, në përputhje me rregullat e Federatës Shqiptare të Notitt, iu mundësua aktivizimi dhe perfaqësimi i këtij notari cilësor me ngjyrat e Vllaznisë.
Dhe ishte pikërisht shqiptaro-italiani, Alessandro Hyso, i cili duke konkuruar përkrah rivalëve të tij shqiptarë, gjithsej në 19 disiplina, arriti rezultate shumë të mira.
Kështu, në Kategorinë OPEN që përfshin 3 rezultatet më të mira të garës, Alessandro Hyso arriti të rrëmbejë tre vende të para në konkurimin e garave 50 metra stil shqipë, 50 metra stil i lirë dhe 100 metra stil shpinë, ndërkohë që në disiplinën e stilit delfi, zuri dy vende të dyta, në distancat 50 dhe 100 metra.
E zakonshmja, Viki Tafrruku, një notare tashmë e konfirmuar si kampione e Shqipërisë, meritoi dy vente të para, dhe pikërisht në 50 metër stil shpinë dhe 200 metra katërnotim, ndërsa në garat e tjera, 100 dhe 200 metra stil shpinë u rendit në vendin e dytë.
Një paraqitje të mirë bënë notaret e Vllaznisë edhe në garat e stafetës së vajzave, ku zunë vend te dytë në disiplinën 4 x 100 m katërnotim.
Në renditjen e përgjithshme ekipi i Vllaznisë u klasifikua në vendin e tretë si ekipi më i mirë i kampionatit si për femra ashtu edhe për meshkuj.
Viki Tafrruku gjithashtu përfaqësoi pak ditë më parë ngjyrat e Vllaznisë në aktivitetin ndërkombëtar në Mal të Zi, “Montenegro Open”, ku duke konkuruar në disiplinën e 50 metër stil shpinë, arriti të renditej e treta duke merituar medaljen e bronztë.
Gaspër MARKU