Me seancën stërvitore të paradites së premte, kuqeblutë e Vllaznisë kanë mbyllur përgatitjet anti-Bylis dhe në orët e mesditës kanë lënë qytetin e Shkodër duke udhëtuar drejt Ballshit, aty ku të premten do të luajnë në stadiumin “Adush Muçaj” në kuadrin e javës së 25-të të Abissnet Superiore.
Për sfidën në fjalë, e cila do të nis në orën 13:30, Veriu Sport, kërkoj një opinion nga trajneri i KF Shkodra, Denis Zmijani, i cili në pamje të përgjithshme e konsideron një ndeshje të vështirë për Vllazninë, pasi për vendasit pikët e mbijeteses janë të domosdoshme.
Megjithatë, Zmijani është i mendimit se nisur nga atmosfera pozitive që po shoqëron skuadrën pas fitores së fundit me Elbasanin rival, ajo i ka të gjithë kushtet të kërkojë një rezultat pozitiv.
Shqetësuese për kuqeblutë në këtë sfidë transfertë është mungesa e tre titullarëve me peshë të formacionit, si kapiteni Bekim Balaj, Erdenis Gurishta dhe Lirim Kastrati, por për Zmijanin, Vllaznia ka mjaftueshëm lojtarë cilësorë në stol që do t’i zëvendësojnë me sukses në fushën e lojës.
Një Vllazni kryesuese në kampionat e shkëputur nga rivalet si dhe e avantazhuar për të kaluar me sukses çerekfinalen e dytë në “Loro Boriçi” me Bylisin” me datë 4 mars, e bën optimist Denis Zmijanin që Vllaznia të jetë pranë përsëritjes së suksesit të 1972-shit për të fituar dy trofetë e sezonit, Kupë dhe Kampionat.
Duke folur në aspektin personal, Denis Zmijani shprehet i kënaqur që pas përvojës disa vjeçare si trajner i Akademisë Futbollit Vllaznia, tani po e vazhdon me sukses karrieren e tij sportive në stafin teknik të KF Shkodra.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit Denis Zmijani, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.



