Thursday, December 26, 2024

(Video) Prag Islanda-Hysaj dhe Gjasula vlerësojnë kundërshtarin, por besojnë në fitore

Lexo

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati për dy sfidat e Nations League, ndaj Islandës që do të zhvillohet më 6 qershor në transfertë dhe më pas ndaj Izraelit më 10 qershor në shtëpi. Në prag të kësaj sfide, për disa ditë kanë dalë në konferenca për media disa prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare, teksa ditën e sotme ka qenë radha e Elseid Hysaj dhe Klaus Gjasulës, të cilët kanë folur në lidhje me kundërshtarët e grupit B2.

Mbrojtësi i skuadrës sonë, Elsi Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se është 100% gati për këto sfida, ndërsa vlerëson rritjen e nivelit të skuadrës shqiptare. Fillimisht ekipi po bën përgatitjet maksimale për transfertën e Islandës, ndërsa Hysaj theksoi se kjo është një mundësi e artë për Shqipërinë për të fituar grupin dhe për të shkuar në play-off.

Gati për këto ndeshje? – Ne e kemi për detyrë të jemi gjithmonë gati kur na thërrasin në Kombëtare. Kam ardhur me shumë qejf. Me të vërtetë jemi në fund të sezonit, por kemi një mundësi shumë të mirë për të ecur përpara me Kombëtaren dhe duhet të tregojmë që po vazhdojmë të përmirësohemi ccdo ditë dhe më shumë. Unë jam 100% gati, ashtu sikurse edhe çunat.

A kemi nxjerrë mësime për Islandën dhe Izraelin? – Po, u bënë disa kohë që nuk luajmë kundër, por siç kemi bërë në ndeshjen e fundit ndaj Islandës, kemi treguar që dimë të luajmë më mirë, dimë të jemi më të rrezikshëm. Dje pamë ndeshjen Izrael – Islandë dhe pamë një skuadër që po rrinte mbrapa dhe po luante në kundërsulm. Tani po përgatitemi për këtë ndeshje. Edhe në ndeshjen ndaj Spanjës që luajtëm ishim mirë, duke treguar që niveli ynë është duke u rritur ccdo ditë e më shumë dhe besoj se të gjithë jemi gati për këtë ndeshje.

Vendi i parë në grup? – Jemi tre skuadra të forta, në një nivel të afërt. E shikojmë si një mundësi vërtetë sepse të gjithë e dimë që Rusia është një ekip me nivel të fortë dhe tani që mungon kemi më shumë mundësi për t’u renditur të parët dhe për të shkuar në play-off. E dimë që kemi një mundësi të artë që nuk duhet ta shpërdorojmë dhe ta shfrytëzojmë në mënyrat më të mira. E shohim si një dritare më shumë për të shkuar në play-off.

Gati për Islandën? – Siç e thashë edhe më parë, të gjithë lojtarët që kanë ardhur këtu, kanë ardhur me qejf dhe me 100% fizik, për të ecur përpara me Kombëtaren. Besoj që jemi të gjithë gati për këtë ndeshje. Ne duhet të ikim aty dhe të shohim si do të shkojë ndeshja. Ne po analizojmë ndeshjet, do të kërkojmë të bëjmë më të mirën për të marrë rezultat në Islandë.

Gol tjetër ndaj Islandës? – Pak gola kam bërë. Shpresoj të jetë kjo ndeshje që të kem një mundësi tjetër, por nuk i dihet. Kemi parë Islandën dhe jemi përqëndruar te loja e tyre.

Klaus Gjasula, mesfushori i ekipit kombëtar shprehet optimist për atë që do të tregojë skuadra në këto dy ndeshje. Gjasula analizoi edhe skuadrën e ishullorëve, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk duhet të bëjë gabime dhe t’i marrë maksimumin ndeshjes së parë. Mesfushori kuqezi foli edhe për futbollistin e ri të Kombëtares, pjesë e repartit të tij, Kristjan Asllanin, duke mos i kursyer lëvdatat për të.

Favoritët e grupit? – Nuk do thoja që Islanda dhe Izraeli janë në nivel më poshtë se ne. Jemi afër me ato Kombëtare. E dimë që në të kaluarën ka qenë pak e vështirë për ne për Kombëtaret më të vogla, por prapë ne jemi rritur si skuadër dhe kemi treguar paraqitje të mira. Jam optimist dhe besoj që do bëjmë paraqitje të mira.

Me 4 pikë të kënaqur? – Varet se si do të ecin ndeshjet. Por edhe me 4 pikë do të ishim në rregull për këtë grup. Për mua ta nisim me këmbë të mbarë. Në ndeshjen ndaj Islandës duhet të marrim 1 pikë se s’bën dhe do të provojmë të marrim 3.

Sa gati jemi për Islandën? – Ne e dimë që Islanda është një skuadër që luan shumë fizikisht dhe Elsi e tha shumë mirë. Janë jo vetëm fizikisht mirë, por edhe në mbrojtje janë kompaktë dhe në kundërsulm luajnë. Ne duhet të kemi kujdes që mos të bëjmë gabime që nuk duhen dhe të luajmë lojën tonë, që të nxjerrim maksimumin.

Amir Abrashi dhe Kristjan Asllani – Asllani është një djalë i ri dhe ka shumë talent. Për ne është mirë që është këtu dhe është një lojtar me shumë cilësi. Cdo lojtar shqiptar që ka kualitet ne e presim këtu dhe të na ndihmojë. Nuk e di si do e vendosë trajneri, por është shumë mirë që janë të dy lojtarët këtu, edhe Abrashi edhe Asllani, të cilët na japin forcë për të arritur më shumë.

Pritshmëritë me Kombëtaren – Secili e di se çfarë mundësish kemi në këtë grup. Nuk kemi shumë presion, e dimë çfarë mund të fitojmë. Duhet të jemi optimist dhe të provojmë t’i nxjerrim maksimumin.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img