Monday, November 25, 2024

(Video) Prag Norvegjia/ Trajneri Grima: Jemi besimplotë, të bëjmë një paraqitje të mirë nesër

Lexo

Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë nesër takimin e parë ndaj Norvegjisë, e vlefshme për raundin e parë të play-offit për Europianin “Zvicër 2025”. takimi do të luhet në ora 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishmë për Kombëtaren kuqezi, trajneri Armir Grima dhe kapitenia e ekipit, Megi Doçi dolën pasditen e sotme në një konferencë zyrtare për mediat në Shkodër.

Trajneri Grima theksoi në fjalën e tij se Norvegjia është një ekip i vështirë, por Shqipëria e tij do të japë maksimumin në fushë dhe do të bëjë një paraqitje të mirë. Pavarësisht mungesave në skuadër, tekniku kuqezi beson te skuadra e tij, ndërsa flet edhe për elementet e reja që i janë bashkuar ekipit në këtë grumbullim. Në fund, trajneri Grima ka edhe një thirrje për tifozët e Kombëtares.

A do të jetë e vështirë kjo ndeshje? – Është e vështirë. Norvegjia është një ekip i fortë për çdo skuadër të Europës, jo vetëm për ne si Shqipëri. Por ne do të bëjmë përpjekjet tona, do të japim maksimumin tonë dhe besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë.

Mungesat në skuadër – Ka mungesa, por unë jam shumë besimplotë te grupi i vajzave që kam dhe besoj që edhe ato do e justifikojnë maksimalisht këtë besim.

Rndësia e ndeshjeve – Ndeshjet në këtë fazë janë të rëndësishme. Për ne është një nivel i lartë ku po luajmë dhe fillimi i mbarë, është pjesë e vazhdimit të punës.

Thirrje për tifozët – Tifozeria shkodrane nuk do të na zhgënjejë dhe jam i bindur që do të na ndjekin. Edhe në ndeshjet e tjera që kemi luajtur këtu, kemi pasur mbështetjen e tyre dhe janë suport i mirë për ne dhe një motivim i madh të luash para tyre në Shkodër.

Prurjet nga Vllaznia – Ekipi kampion është edhe baza e ekipit kombëtar. Gjithmonë Vllaznia ka qenë pjesa kryesore e Kombëtares dhe është peshë kryesore edhe te Kombëtarja edhe në kampionatin shqiptar.

Si duken elementet e reja në ekip – Po janë ambientuar me grupin dhe besoj se nesër do të shohim vajzat që kanë talent dhe që kanë perspektivë. Për mua është kënaqësi që i kam në grup. Dhe për futbollin e vajzave në Shqipëri është pozitive që këto vajza janë pjesë e jona.

Për fitore nesër? – Nuk di të ketë një trajner që futet në lojë për të humbur.

Si prisni të jetë ndeshja nesër? – Pres të jetë një ndeshje e luftuar, ku do t’i përgjigjemi me maksimumin tonë ekipit të Norvegjisë.

Ekipi norvegjez tha se pret që Shqipëria t’ia bëjë të vështirë nesër, si psh duke mos e ujitur fushën mjaftueshëm. Mendimi juaj? – Nuk e mendoj kështu. Mendoj se ekipi shqiptar do t’ia bëjë të vështirë punën duke luajtur futboll dhe jo duke u marrë me gjëra të tjera që nuk janë pjesë e futbollit. Detyra jonë është për të luajtur futboll, për të ndihmuar veten për të bërë më të mirën. Elementi i barit nuk është pjesë e jona, nuk e kemi bërë ndonjëherë me ndonjë ekip. Ne nuk i kemi arritur sukseset tona në këtë mënyrë, por i kemi arritur në fushë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img