Vllaznia U21-Vora U21, 1-2(Shënues: Ilah Muhaj 55’/Kevin Jata 66’, Gerson Mata 84’)
Vllaznia U-21: Jukaj, Guri, Rroku, Muhaj, Hagrepi, Halili, Kraja, Spahija, Pepnikaj, Maliqi, Brahimi(U aktivizuan: Kaçaj, Kallamoqi, Gallube, Agraja).Trajner: Edmond Doçi
Vora: A. Jata, K. Jata, A. Spahija, Basha, Hysa, Meta. Hasrama, Qinami, Rushiti, Hoxha.(U aktivizuan: Memlika). Trajner: Eldiano Topi
Gjyqtarë: G. Çokaj, K. Zefej, S. Gjergji, P. Laçi
Vllaznia U21 është ndalur në javën e tretë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë U21. Pas dy fitoreve radhazi, në Shkodër me Dinamon dhe transfertë me Erzenin, djemtë e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi janë mundur në shtëpi nga Vora me rezultatin 1 me 2.
Jukaj, Guri, Rroku, Muhaj, Hagrepi, Halili, Kraja, Spahija, Pepnikaj, Maliqi dhe Brahimi ishin titullarët e kësaj ndeshje, të cilët duke pasur në tribunë si vëzhgues të gjithë stafin teknik të ekipit të parë, kanë pasur mundësinë të japin më të mirën e tyre për t’i bindur ato se vlejnë për ekipin e parë.
Por, një mundësi të tillë ato nuk arritën ta shfrytëzonin, sepse loja e tyre nuk arriti në nivelin e kërkuar. 0 me 0 është mbyllur pjesa e parë e luajtur pasditen e së enjtes në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, ndërkohë që dhjetë minuta nga fillimi i 45 minutave të dyta janë kuqeblutë që kalojnë në avantazh me autor Ilah Muhaj.
Avantazh që 21 vjeçarët kuqeblu nuk arrijnë ta mbajnë në fuqi më shumë së njëmbëdhjetë minuta, sepse në të 66-tën minutë vjen goli i barazimit për Vorën me autor Kevin Jata.
Vllaznia kishte kohën e mjaftueshme, plot 24 minuta pa llogaritur edhe kohën shtesë, për të reaguar në kërkim të golit të avantazhit, por ndërkohë që pritej goli në portën mike, ai ka ardhur në portën kuqeblu të mbrojtur nga portjeri Aron Jukaj. Autor i këtij goli ka qënë Gerson Mata në minutën e 84-tërt, gol i cili ka qëndruar në fuqi deri në mbyllje të gjithë ndeshjes, duke i dhënë mundësi Vorës të largohet nga Shkodra me fitoren tre pikëshe.
Me këtë fitore në transfertë, Vora barazohet me pikë me Vllazninë në kutën e 6 pikëve, ku së bashku me Apoloninë ndajnë vendin e dytë deri në të katërtin, ndërkohë që në krye është Bylisi me 9 pikë të plota, skuadër e cila do të presë Vllazninë për javën e katët të Superligës U21.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë U-21 Edmond Doçi, pas humbjes me Vorën në shtëpi 1-2. Superliga e U21, java e tretë