Vllaznia dhe Bylis përballen sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës në kuadër të javës së 24-të të Abissnet Superiore. Në prononcimin e dhënë për mediat një ditë para kësaj sfide, trajneri i kuqebluve, Tomas Brdariç, ka bërë të ditur se në skuadrën e tij vazhdon të ketë mungesa, por skuadra është e karikuar për të marrë tre pikët e plota.
“Për ndeshjen me Bylisin nuk kemi të gatshëm Qaton, duhet të jemi të kujdesshëm me të. Spahija është mungesë tjetër, por dhe Mensah që ka probleme muskulare, shpresojmë për nesër të jetë i gatshëm se na duhet i gatshëm. Çdo ndeshje është e ndryshme, ndaj Bylisit një mundësi e mirë për 3 pikët. Duhet të kemi shtysën e rezultateve të mira, për të na dërguar te objektivi i nesërm që është fitorja. Jemi të fokusuar tërësisht tek kjo ndeshje, si nga ana taktike dhe teknike. Delaj është rikthyer dje nga viroza, ka bërë stërvitje bashkë me Kahrimanoviç, Stojanoviç dhe Repaj që kishin për të marrë ngarkesat e duhura. Te ekipi i Vllaznisë është rritur konkurrenca. Ditën e djeshme janë stërvitur lojtarë si Gruda dhe Juriç, sidomos Juriç që ishte dhe do të jetë pjesë e Vllaznisë.”, është shprehur ndër të tjera, tekniku kuqeblu, Tomas Brdariç.
(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit Tomas Brdariç në pragndeshjen, Vllaznia-Bylis, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.