20 mijë Euro premio për kualifikimin e Egnatias në turin e tretë të Conferencë League, ka vendosur presidenti i klubit rrogozhinas, Agim Demrozi. Një gjë të tillë ia ka deklaruar skuadrës mbrëmjen e djeshme, gjatë një takimi që ai kishte në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Loro Boriçi”, pak çaste përpara se të niste seanca e fundit stërvitore anti Vikingur.
Nga sa mësohet, gjatë një minianalize të zhvilluar me këtë rast, njëshi i klubit rrogozhinas, Agim Demrozi i ka kërkuar futbollistëve dhe stafit teknik mobilizim maksimal për të dhënë gjithçka në fushën e lojës.
Ndër të tjera, theksi është vënë tek ajo, që skuadra nuk duhet ta ketë mendjen tek fitorja e ndeshjes së parë në transferttë, 0-1, por të luftohet nga minuta e parë për të shënuar gol tjetër në “Loro Boriçi” në mënyrë që minutat në vazhdim të jenë më të qeta drejt realizimit të objektivit kualifikim.
Ndërkohë, zoti Demrozi ka menduar edhe për tifozërinë rrogozhinase, për të cilët ka vendosur 15 autobuzë për udhëtimim gratis drejt Shkodrës në mbështetje të skuadrës së zemrës.
Për ato që nuk do të kenë mundësinë të jenë prezent në stadium, falë marrëveshjes zyrtare që presidenti Demrozi ka arritur me drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza, ndeshja Egnatia- Vikingur(Islandë) do të transmetohet falas nga RTSH 2, drejtpërdrejt nga stadiumi “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 20:00.
Gaspër MARKU