Në kampin kuqeblu, barazimin e javës së 24-të me Kukësin, kanë nxituar ta quajnë rezultat pozitiv. Nën gjykimin e tyre, marrja e një pike në këtë ndeshje i ka kënaqur me argumentin e të luajturit në transfertë dhe ndaj një rivalit direkt për vendin e tretë.
Por, e verteta, sipas edhe gjykimit të specialistëve të futbollit është se barazimi i Vllaznisë me Kukësin konsiderohet humbje.
Konsiderohet humbje, e para se përballë Vllaznia kishte një Kukës në momentin më të keq të tij, i cili javën e kaluar u mund thellësisht 5-0 nga Partizani.
Konsiderohet humbje, edhe për atë që fjala “transfertë” nuk ka argument justifikues të përdoret me Kukësin, i cili nuk luan në stadiumin e tij duke mos pasur as edhe dhjetë tifozë që e ndjekin. Madje, është e kundërta, sepse tifozëria shkodrane dominonte në stadium.
Konsiderohet humbje, madje e madhe, mungesa e marrjes së tre pikëshit. Sepse, nëse Vllaznia do të kthehej në Shkodër me 3 pikë, do të likuidonte Kukësin duke mbajtur vendin e tretë me 3 pikë më shumë sesa kundërshtari, me të cilin tashmë është me pikë të barabarta.
Konsiderohet humbje, sepse Vllaznia humb mundësinë për t’iu afruar Laçit të vendit të dytë në 4 pikë diferencë, por edhe për të shkurtuar diferencen me Tiranën kryesuese në 12 pikë që tashmë është në 14-të duke mos ia prishur qetësinë bardhebluve që avancojnë drejt titullit kampion.
Konsiderohet humbje, edhe për një gjë shumë të rëndësishme, pasi një ndeshje e tillë kaq e dobët në cilësi, vjen pikërisht në një pragndeshje, si ajo e 12 marsit kur në “Loro Boriçi” mbërrin kryesuesja e kampionatit, Tirana. Një supersfidë që tifozëria kuqeblu ka ditë të tëra që e pret me padurim, por që për hirë të së vertetës, zhgënjimi tejet i madh me skuadrën e tyre të zemrës pas barazimit me Kukësin mund të jap impakte jo pozitive tek ato në mbushjen e tribunave të stadiumit.
E megjithatë, mundësitë që Vllaznia të rikthejë entuziasmin në radhët e tifozërinë i ka. Nuk ka nevojë të shkojë shumë larg, vetëm të risjellë në vemendje ndeshjen spektakël që dhuroi në kryeqytet ndaj Tiranës në startin e 2022-shit dhe aty i ka të gjitha. Mjafton që skuadra me stafin të ndjekin në ekran DVD-në e kësaj ndeshje për të marrë gjithçka i duhet në mënyrë që pasditen e 12 marsit të dhurojnë spektaklin e radhës në stadiumin “Loro Boriçi”. Dhe, të mos harrojmë, se me një fitore të mundshme të kësaj ndeshje, Vllaznia shkurton diferencen në 11 pikë me Tiranën kryesuese duke rihapur në një farë mënyre sërishmi garën për titull.
Le të presim, 12 marsi po afron…..
(Video: Pamje nga ndeshja Kukësi-Vllaznia 0-0, në “Elbasan Arena”)