Në pritje të ndeshjes, Vllaznia-Real Madrid, takimi i parë ky i vlefshëm për fazën e grupeve të Ligës së kampioneve të Europës në futboll femra, në orët e mesdites së sotme ka mbërritur në Shkodër skuadra kampione e Spanjës.
Nga sa bëhet e ditur, pas fluturimit nga Madridi, delegacioni sportiv spanjoll ka mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit rreth orës 12:00, dhe më pas i janë drejtuar qytetit të Shkodrës, për t’u akomoduar në mjediset komode të Grand Hotel Europa, rreth orës 14:30.
Siç bënë të ditur drejtuesit e delegacionit spanjoll, përbarja e tyre është me 43 persona, ndër to, 37 të ekipit dhe 6 të stafit, ndërkohë që pjesë e këtij delegacioni është edhe një grup i zgjeruar mediatik.
Sipas programit të hartuar nga UEFA, kampionia e Spanjës, Real Madrid do të jetë gjatë orëve të mesditës në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore, anti-Vllaznia, ndërkohë që në orën 17:15 përfaqësues të skuadrës do të jenë përpara gazetarëve në konferencën e shtypit të zakonshme, 24 orë përpara ndeshjes zyrtare që luhet të enjtes duke filluar nga ora 18:45.
(Video) Mbërritja e delegacionit sportiv spanjoll në qytetin e Shkodrës, në prag të ndeshjes, Vllaznia-Real Madrid)