Sunday, November 24, 2024

(Video) “Rising Stars”, prezantohet Strategjia e Futbollit të Vajzave 2023-26, Presidenti Duka: Duam që futbolli i vajzave të arrijë në të njëjta nivele si ai i djemve

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi pasditen e kësaj të enjteje në stadiumin “Air Albania” eventin e rëndësishëm të lançimit të Strategjisë së Futbollit të Vajzave “Rising Stars 2023-2026”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin e vajzave në 3 vitet e ardhshme e që është bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë.

Të pranishëm në këtë event madhor dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e futbollit të vajzave ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesja e FIFA-s, Arbenita Morina, përfaqësuesja e UEFA-s, Alyssa Lagonia, si edhe futbolliste, mësues, trajnerë, personalitete e legjenda të futbollit shqiptar, etj.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar të vajzave. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar nënvizoi se strategjia ‘Rising Star 2023-2026’ ka si qëllim zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri, krijimin e kushteve më të mira për vajzat, promovimin e futbollit për vajzat, përmirësimin e elitës së futbollit, dyfishimin e vajzave futbolliste si edhe kualifikimin e ekipit kombëtar të vajzave në një kompeticion europian.

“Ne jemi sot këtu jo thjesht për të prezantuar një dokument që quhet strategjia e futbollit të vajzave dhe grave në Shqipëri, por për të vënë objektivat e të ardhmes dhe strategjitë. Në radhë të parë do të doja t’ju falenderoja të gjithëve që jeni sot këtu dhe më vjen shumë mirë që ka shumë prezencë vajzash në sallë, kjo është një shenjë e mirë që jemi në rrugën e duhur. Fatmirësisht kemi edhe Ministren grua dhe dua ta falenderoj shumë jo vetëm që është sot këtu por për mbështetjen që i jep futbollit në përgjithësi. Bashkarisht kemi ndërtuar projekte siç është ai i futbollit në shkolla dhe bashkë do të zhvillojmë projekte akoma më të mëdha. E falënderoj edhe një herë Ministren, e falënderoj Ambasadoren Valbona Selimllari, drejtuesit e klubeve, Kryetarin e Bashkisë dhe drejtuesin e ri të klubit Gramshi, Besin dhe padyshim që dua të falënderoj shumë dy përfaqësueset e FIFA-s, Arbenitën dhe UEFA-s, Alyssan.

Bashkarisht kanë punuar me stafin e Federatës për të hedhur në letër dokumentin që ne kemi sot përpara. Kjo strategji bazohet në eksperiencën që ne kemi në qëllimin e futbollit të vajzave në Shqipëri. Kemi filluar relativisht vonë por hapat kanë qenë të mirë dhe të kënaqshëm. Kemi shembuj pozitiv, kemi organizime pozitive, por kemi edhe rezultate siç është ai i Vllaznisë. Kulmi ishte me pjesëmarrjen në grupet e Champions League. Kemi vajza që mund të jenë shembull. Ky dokument apo kjo strategji për realizimin e objektivave të saj, mbështetet në ndryshimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për vajzat, në promovimin e futbollit për vajzat, në përmirësimin e elitës së futbollit siç është Vllaznia apo ekipet Kombëtare por edhe në politikën për të afruar sa më shumë vajza në futboll. Dua të falenderoj FIFA-n për mbështetjen me projekte të dedikuara për futbollin e vajzave, gjithashtu edhe UEFA-n me mbështetjen jo vetëm për hartim dokumentash apo për të na treguar rrugën se si përmirësohet, por edhe me mbështetje konkrete dhe projekte financiare etj. Jemi në fundvit dhe në prag të hartimit të buxhetit, e ftoj Ministren që të jetë një vit ku buxheti të përqëndrohet pak më shumë për futbollin e vajzave.

Ne jemi në një moment shumë të mirë, historik në vitin 2023 me suksese të jashtëzakonshme. Me suksese në ndryshime organizative infrastrukturore, por ajo që ishte qershia mbi tortë janë rezultatet e ekipit Kombëtar, klasifikimi i tij në vendin e parë në grup dhe kualifikimi në Euro 2024 dhe në këtë atmosferë pozitive ne zgjodhëm këtë ditë për të lançuar këtë strategji të futbollit të vajzave për të treguar dhe demostruar se ne duam që futbolli i vajzave të arrijë në të njëjta nivele. Dikujt mund t’i duket utopike por fatmirësisht është e realizueshme, përderisa është realizuar në disa vende të Europës edhe ne do ta realizojmë. Hapa tonë në një histori më pak se 13-vjeçarë janë vërtetë gjigande. Sot ne kemi ekipe Kombëtare të vajzave të të gjitha niveleve, kemi një kampionat Kombëtar të vajzave, kemi një numër të shtuar të vajzave dhe që kemi objektiv ta dyfishojmë në vitin 2026.

Dua t’i ftoj të bashkohemi të gjithë bashkë, qeveria, FIFA, UEFA dhe FSHF, që me financat e sja incetivon më shumë se sa futbolli i meshkujve. Mbase pak e dinë por ne kemi 20% të buxhetit që e adresojmë jo vetëm për infrastrukturë por edhe për incentivimin e futbollit të vajzave, do vazhdojmë ta bëjmë dhe do të bëjmë akoma më shumë. Ju ftoj që bashkarisht të përpiqemi maksimalisht për të realizuar objektivat që vendos kjo strategji dhe pse jo për ta parë një ditë futbollin e vajzave në të njëjtin nivel me të djemve, që një ditë të bëjmë rezultate historike si ai që kemi bërë në 2023 me Kombëtaren e djemve”– tha Presidenti Duka në fjalën e tij.

Sakaq, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila tha se në të ardhmen do të bëhen më shumë investime në fushën e futbollit. Gjithashtu, përfaqësuesja e UEFA-s, Alyssa Lagonia përshëndeti eventin e FSHF-së, ndërsa falënderoi qeverinë e futbollit shqiptar për këtë strategji dhe mbështetjen e vazhdueshme që i jep futbollit të vajzave.

“Jam shumë e nderuar dhe është privilegj për mua të jem këtu mes jush sot, në kuadër të lançimit të strategjisë së futbollit të vajzave. Dua të uroj FSHF-në për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe sigurisht Presidentin Duka, Sekretarin e Përgjithshëm Shulku, Anilën, Florin dhe të gjithë të tjerët, për finalizimin e strategjisë së futbollit të vajzave. Gjatë viteve që kemi punuar me ju, kemi vënë re ndryshime dhe arritje në futbollin tuaj të vajzave. Në emër të UEFA-s, dua të falënderoj FSHF-në për vëmendjen që i jep futbollit të vajzave dhe presim me shumë kërshëri se çfarë do të na rezervojë e ardhmja”, – tha përfaqësuesja e UEFA-s, Alyssa Lagonia.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img