Vllaznia-Barleti Volej 3-2
(20-25, 25-20, 21-25, 25-21, 15-5)
Vllaznia dhe Barleti në volejboll femra kanë luajtur pasditën e sotme ndeshjen e parë të fazës finale Play Off. Një ndeshje e gjykuar nga dyshja e arbitrave Edison Kurti dhe Endri Zguri, e cila me plotkuptimin e fjalës duhet thënë se ishte e shoqëruar me luftë të foftë sportive, rivalitet dhe emocione të shumta.
Një lojë, e cila nisi dhe përfundoi me një ritëm të lartë, mes dy skuadrave, të cilat kishin në objektiv, vetëm fitoren. Edhe pse Vllaznia pati epërsinë e pikëve të para, mikeshat nga Tirana të drejtuara nga trajneri Altin Gorenxa, arrijnë ta mbyllin setin e parë me fitore, 20 me 25.
Me ndërrimin e fushave dhe pushimin e shkurtër që kishte në dispozicion, trajneri kuqeblu Dorjan Tafa, motivon volejbollistet e tij, të cilat, pas rivalitetit deri tek pika e 20-të, në pikët deçizive shkëputen duke e fituar këtë set me të njëjtat shifrat që kundërshtari fitoi setin e parë, 25 me 20.
Barazim me sete, dhe lufta sportive vazhdon të jetë edhe më e ashpër në setin e trete, i cili mbyllet me fitoren e skuadrës kryeqytetase me shifrat 21-25 që merr kryesimin me sete, 1-2. Emocionet vijojnë të jenë të pranishme edhe në setin e katërt. Barleti kërkon fitoren e këtij seti dhe të gjithë ndeshjes, 1-3, ndërkohë që për Vllazninë, fitorja e setit vlen për shtyerjen e ndeshjes me set final. Ndodhë kjo e dyta, skuadra kuqeblu fiton setin e katërt 25-21, duke e çuar ndeshjen me set final.
Kur pritej një rivalitet po aq i madh sa ishte në katër setet e mëparshëme, në këtë set të pestë, dominimi shkodran ishte i dukshëm. Volejbollistet shkodrane, me në krye kapitenen Klodeta Zhivani, më e mira në fushë për të dy ekipet, së bashku me kolegët e saj po aq të talentuara, si Sarah Beci, Edna Erkoçi, Laura Ballçiti, dy motrat Liridona dhe Danjela Kodra, Paula Gjyshja, Sara Malaj dhe Klea Miloti, janë të papërmbajtshme. Epërsia e Vllaznisë shkon në avantazhin 7 me 0, ndërkohë që me shifrat, 8-2 ndërrohen fushat.
Volejbollistet kuqeblu vahdojnë të luajnë mirë, duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit të reagojë. Ndonëse ka ndonjë tentativë të universitareve të Barleti Volej për të reaguar, Vllaznia mbyll çdo gjë shumë shpejt duke fituar setin e pestë 15 me 5 dhe të gjithë ndeshjen me sete, 3 me 2. Fitore kjo që do të thotë një hap përpara për Vllazninë drejt kualifikimit në gjysëmfinale. Por, për të shkuar deri atje duhet kaluar me sukses edhe ndeshja e kthimit, e do të luhet ditën e dielë në pallatin sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Në rast të kundërt, me një fitore të Bartletit në ndeshjen e dytë në Tiranë, sipas rregullores, do të luhet një ndeshje e tretë sërishmi në Shkodër.
(Video) Volejboll femra, Vllaznia-Barleti. Pamje nga ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.