Sezoni futbollistik 2024-2025 e ka gjetur ish futbollistin e Vllaznisë Geralb Smajli, titullar në formacionin e kampiones së Kosovës, Ballkani. I rikthyer në Shkodër pushimet e ndërrimit të viteve, Smajli po i shfrytëzon me përgatitjet individuale nën kujdesin e specialistit Alfred Mulaj pranë Fitness Center XXL në qëndër të Shkodrës.
Ndërsa vlerëson kushtet dhe profesionalizmin e specialistit të fitness-it Alfred Mulaj, Smajli flet përvojën e pjesës së parë në kampionatin e Superligës së Kosovës duke qënë titullar i spikatur i formacionit të Ballkanit.
Duke folur për kampionatet e Shqipërisë dhe të Kosovës, Smajli thotë se thuajse janë të barabartë përsa i përket rivalitetit dhe cilësisë, ndërkohë që sa i takon infrastrukturës, mendon se janë më të mira në Shqipëri.
Falë vlerave që ka shfaqur më herët me Vllazninë dhe tashti me Ballkanin, kampionen e Kosovës, Smajli ka qënë i përzgjedhuri i trajnerit të kombëtares U21 Alban Bushi, ndërkohë që synon të ketë vemendjen edhe të teknikut të kombëtares së madhe Silvinjo.
Edhe pse i angazhuar në kampionatin kosovar, Smajli, thotë se i mungon Shkodra dhe Vllaznia, të cilën e ndjek me vemendjen në ndeshjet e kampionatit, ku ndër të tjera shpreh shqetësimin e dëmtimeve.
I pyetur se ku e shikon Vllazninë në këtë fundkampionati, Geralb Smajli është i bindur se Vllaznia është e sigurt që futet në katërshe, dhe pastaj në finale të marrë vendin e pare. Madje, shkon deri atje sa thotë se në majin e vitit 2025, ai do të marrë pjesë në festen e titullit kampion me skuadrën kuqeblu në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
(Video) Prononcimin e plotë në video të futbollistit shkodran Geralb Smajli si dhe pamjet nga përgatitja individuale me specialistin Alfred Mulaj-Fitness Center XXL mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU