Kampionati Ndërkombëtar i basketbollit në formatin olimpik 3×3 është në edicionin e nëntë të zhvillimit të tij në Shqipëri. Pasi më herët është zhvilluar në Tiranë dhe Durrës, për të tretin vit zhvillohet edhe në qytetin sportdashës të Shkodrës. Shoqata sportive 3×3 Albania me emra të njohur në drejtim si, Roni Gjeçaj, Antonio Shabani dhe Silver Gjeçaj, në bashkëorganizim me Bashkinë Shkodër dhe mbështetur nga Federata Shqiptare e Basketbollit, kanë zgjedhur pikën turistike të Shirokës për zhvillimin e këtij aktiviteti, i konsideruar si eventi më i madh i 3×3 me ekipe ndërkombëtare, që është mbajtur ndonjëherë në Shqipëri..
I planifikuar për tre ditë, dy ditët e para, ato 9 dhe 10 gusht 2024, këndi sportiv i improvizuar në qëndrën e pikës turistike të Shirokës është frekuentuar nga një numër i madh sportdashësish, mes të cilëve edhe shumë turistë të huaj, të cilët kanë shijuar ballafaqimet e 26 ekipeve pjesëmarrëse, nga Shqipëria dhe rajoni.
Në veçanti, dita e dytë, e nisur në orën 17:30, me 18 ndeshjet në program, plot rivalitet dhe cilësi që zgjaten deri rreth orës 23:00, përcollën shumë emocion për të pranishmit. Ashtu si edhe në ditën e parë, aktivitetin e ndoqën prej së afërmi edhe përfaqësuesit e zyrës së sportit në Bashkinë Shkodër, drejtori Auron Miloti dhe specialisti i sportit Alban Hasani, ndërkohë që nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Agjencia e Sportit Kombëtar nderonte me pjesëmarrjen e tij is basketbollisti i kombëtares, Pjerin Bushati.
Të gjykuar nga arbitrat ndërkombëtar, Edison Gjoni dhe Serxhio Gjoni të kolegjumit të Tiranës, krahas të tjerave, në fushën e lojës morën duartrokitjet e publikut edhe emra të njohur të basketbollit shqiptar, të inkuadruar në ekipe të ndryshme, si Damian Bekteshi, Gjon Ndoja, Redi Rakaj, Shpëtim Bekteshi, Bekris Dragusha nga Shkodra. Po kështu, Kastriot Borshi(më i moshuaringa pjesëmarrësit), Elvis Ismeti Florenc Gjini, Jakup Fishta, Fation Mati dhe Dejvi Çaushaj nga Tirana, ndërkohë që mjaft të spikatur ishin edhe malazezët Lazar Bailoviç e Matia Iliç, si dhe serbët Srki Stevanotoviç e Radovan Ercegocçiviç.
Sipas organizatorëve, dita e tretë e këtij aktiviteti që është edhe nata finale, e cila zhvillohet mbrëmjen e së dielës pranë këndit sportiv të improvizuar në qëndrën e pikës turistike të Shirokës, pritet të jetë edhe shumë më e bukur. Në kalendarin e kësaj mbrëmje që do të zgjasë deri vonë, janë ndeshjet finale, në përfundim të të cilave gjyqtaria do të shpallë fituesit e trofeve përkatëse, ku për t’u theksuar është se ekipi fitues i këtij turneu basketbolli 3-3 (2024) do të shpërblehet nga Bashkia Shkodër me shumën prej 2 mijë Euro.
Një info më të zgjeruar rreth këtij aktiviteti përcjellë intervista në video e dhënë për Veriu Sport nga ana e Roni Gjeçajt, i cili së bashku me kolegët e tij të 3×3 Albania, Antonio Shabani dhe Silver Gjeçaj, mbajnë peshën kryesore organizative të këtij aktiviteti.
(Video) Prononcimin e plotë të organizatorit Roni Gjeçaj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU