Mbi 50-të nxënës të shkollave 9 vjeçare të Shkodrës, morën pjesë në një garë me biçikleta organizuar paraditen e sotme nga Shoqata e Çiklizmit Vllaznia në bashkëpunim me Zyren e Sportit pranë Bashkisë Shkodër, Drejtorinë Arsimore dhe Qendren Kulturore të Fëmijëve.
E monitoruar edhe nga efektivët e policisë rrugore si dhe ato të policisë bashkiake, sportistët amatorë të çilizmit e nisën garën e tyre hyrje të aksit rrugor të by-pass-it, për të vijuar pedalimin përgjatë këtij aksi rrugor deri në rrethrrotullimin e Dobraçit dhe kthim.
Vijën e finishit e ka kaluar i pari, Bekim Tafili i shkollës “Ruzhdi Daca”, në vend të dytë Arsid Teli i shkollës “Ndre Mjeda” dhe i treti, Riad Muça i shkollës “Ruzhdi Daca”.
Në përfundim të aktivitetit është organizuar ceremonia e shpërndarjes diplomave përkatëse për tre vendet e para, ndërkohë që për kampion Tafili kishte një kupë të veçantë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, inspektori i QKF Shkodër, Agim Troshani, përgëzoi ato që kontribuan në organizimin e këtij aktiviteti duke u ndalur kryesisht tek trajneri i Vllaznisë në çiklizëm, Leonat Kola, i cili ishte edhe iniciatori kryesor për zhvillimin e kësaj gare.
Me emocione u shpreh pas fitimit të garës, Bekim Tafili, i cili, jo vetëm për nga mbiemri I traditës së çiklizmit shqiptgar, por edhe nga të dhënat e tij optimale fizike, synon të bëhet pjesë e Vllaznisë.
Ndërkohë, për trajnerin e Vllaznisë në çiklizëm, Leonat Kola që ishte edhe organizatori kryesor i garës, ndër të tjera, aktiviteti i sotëm shërben edhe për nxjerrjen e talenteve në këtë sport, përfshirë edhe fituesi e garës së sotme, Bekim Tafili.
(Video: Pamje nga gara e çiklizmit të shkollave në Shkodër)