Shoqata Rajonale e Futbollit Fier (SHRF Fier) zhvilloi sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore 2026.
Në këtë takim ishin të pranishëm 28 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 39 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2026, propozimin e kandidaturave për President dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, zgjedhjen e kryetarit, si edhe zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRF Fier në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Një nga pikat më të rëndësishme në rendin e ditës ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Fier për katërvjeçarin e ardhshëm.
Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për organizimin e procesit zgjedhor, deklaroi se komisionit i është paraqitur vetëm një kandidaturë për postin e Kryetarit, konkretisht kërkesa për rikandidim nga z. Ilias Haxhiraj.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, me unanimitet të plotë, vendosi të zgjedhë Kryetar të SHRF Fier z. Ilias Haxhiraj me mandat 4 (katër) vjeçar.
Pas rizgjedhjes në krye të SHRF Fier, Ilias Haxhiraj falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit në rajon.
“Së pari, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet e mia më të sinqerta secilit prej jush për besimin dhe mbështetjen që më dhatë, duke më rizgjedhur Kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier. Ky vlerësim që më akordoni sot është një nder i madh për mua dhe një përgjegjësi që e marr me seriozitetin maksimal.
Ky moment është i rëndësishëm jo vetëm për mua personalisht, por edhe për të gjithë komunitetin e futbollit në rajonin tonë. Rizgjedhja ime për këtë mandat përfaqëson vazhdimësinë e një pune të përbashkët, të ndërtuar mbi besim, bashkëpunim dhe vizion të qartë për të ardhmen e futbollit.
Mandati që sapo më keni besuar nuk është thjesht një detyrë drejtuese, por një mundësi e vyer për të vazhduar kontributin në zhvillimin, organizimin dhe përmirësimin e futbollit në të gjitha nivelet. Jam plotësisht i vetëdijshëm për peshën e këtij posti dhe ju siguroj se do të vazhdoj të punoj me përkushtim, ndershmëri dhe transparencë, në bashkëpunim të hapur me të gjitha klubet, akademitë dhe anëtarët e Shoqatës sonë.
Kam besim të plotë se, duke qenë të bashkuar, do të dimë të përballojmë çdo sfidë që na pret dhe të arrijmë objektivat që i kemi vendosur vetes. Prioriteti ynë do të mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i futbollit, mbështetja konkrete e klubeve tona dhe krijimi i kushteve dhe mundësive të reja për zbulimin dhe formimin e talenteve të rinj”, – tha Ilias Haxhiraj.
Gjatë punimeve të asamblesë u miratuan gjithashtu raporti i aktivitetit të shoqatës, pasqyrat financiare, buxheti për vitin 2026, si edhe delegatët që do të përfaqësojnë SHRF Fier në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, të cilët janë: Ilias Haxhiraj, Muharrem Jazaj dhe Judmir Gaxheli.
Të gjithë anëtarët e SHRF Fier votuan për të propozuar si kandidat për postin e Presidentit të FSHF-së z. Armand Duka. Ndërsa si kandidate për anëtare të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit u votua znj. Anila Basha, e cila është gruaja e parë që u zgjodh anëtare e KE të FSHF-së në vitin 2022 dhe ka një kontribut të çmuar veçanërisht në zhvillimin, rritjen dhe mbështetjen e futbollit të vajzave gjatë viteve të fundit duke sjellë rezultate pozitive të prekshme në numra.



