Vllaznia U19-Partizani U19 1-1
(Shënues: Baruti 42’ / Dodaj 90’)
Vllaznia U19: Jukaj, Rroku, Selmani, Kapllanak, Repaj, Mujaj, Zaganjori, Cungu, Dodaj, Shimaj, Brahimi.(U aktivizuan: Hagrepi, Guri, Halili). Trajner: Edmond Doçi.
Partizani U19: Tahiri, Stafa, Baruti, Gjoka, Vidrica,Puci, Karaj, Mania, Zere, Tafili, Kote.(U aktivizuan: Alla, Bakalli, Perlala, Sogani, Mema,). Trajner: Renato Kalari.
Gjyqtar: E. Gryka, E. Burgu, O. Loci, B. Pjetrushi
Vllaznia dhe Partizani kanë matur forcat sot në Shkodër në dy përballje të futbollit të moshave për Superligën U17 dhe U19. Ndeshjet e luajtura në stadiumin “Reshit Rusi” kanë qënë në një farë mënyre fotokopje e njëra tjetrës. Jo vetëm për rezultatet e barabarta që ishin të njëjta, 1 me 1 për U17-tën dhe 1-1 për U19-tën. Por edhe për atë që të parët kanë kaluar në avantazh miqtë e Partizanit dhe më pas kanë barazuar kuqtë.
Më herët, përmes shkrimit dhe vidios të pëcjellë në Veriu Sport, jeni njohur me kronikën e ndeshjes së parë të 17 vjeçarëve, ndërkohë që menjëherë pas kësaj ndeshjeje, në fushë janë paraqitur 19 vjeçarët e të dy skuadrave, Vllaznisë dhe Partizanit.
Një ndeshje, që për hirë të së vertetes ka qënë tërësisht e dominuar nga ana e Vllaznisë, por si rezultat i një gabimi në prapavijën kuqeblu është Partizani që përfiton duke shënuar me anë të Barutit në minutën e 42-të, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e të kuqve, 0-1.
Pjesa e dytë ka një duel të vazhdueshëm mes sulmit shkodran dhe mbrojtjes së Partizanit, skuadër e cila nuk heziton të kërcënojë me disa kundrasulme të rrezikshme që neutralizohen nga portjeri Jukaj.
Minutat kalojnë, dhe megjithë presionin e kuqebluve, përfshirë edhe një shtyllë të goditur nga sulmuesi Dodaj, Partizani vazhdon të mbajë në fuqi avantazhin. Megjithatë, goli do të vinte në minutën e 90-të të kohës së rregullt, atëherë kur Marko Guri nis një aksion nga krahu i djathtë, pason saktë tek Ersi Zaganjori, i cili nuk heziton që nga fundorja e djathtë ta dërgojë topin në zonën e portjerit mik, aty ku Kevin Dodaj nuk fal duke shënuar golin e barazimit për Vllazninë.
Kuqeblutë kërkojnë të shfrytëzojnë minutat shtesë për të gjetur edhe golin e fitores, por vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit Gryka, sinjalizon mbylljen e të gjithë ndeshjes duke lënë në fuqi barazimin, 1 me 1.
Aktualisht, pas kësaj jave Vllaznia U19-të e drejtuar nga trajneret Edmond Doçi dhe Malvin Maçerovi renditet në vendin e katërt me 21 pikë, ndërkohë që Superligën U-19 e kryeson Tirana me 37 pikë e ndjekur nga Apolonia me 32 pikë dhe Partizani me 24 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja e Superligës së moshave, Vllaznia U19-Partizani U19, e mbyllur në barazim, 1-1.
Gaspër MARKU