Vllaznia-Kukësi, ka qënë dueli i pasdites së sotme i vlefshëm për Kampionatin Kombëtar të futbollit për Superligën e 21 vjeçarëve. Një derbi verior që kishte rëndësinë e vetë, sepse përpos vendit të parë që vazhdon të mbahet na Bylisi me pesë futbollistë shkodran në formacion, Vllaznia dhe Kukësi rivalizojnë për vendin e dytë.
Kuqeblutë të dytët me një pikë më shumë se verilindorët kërkonin patjetër fitoren tre pikëshe, jo vetëm për të mbajtur vendin e dytë, por edhe për ta thelluar diferencën me skuadrën kundërshtare.
Në fakt, fillimi nuk ishte i mirë për Vllazninë sepse skuadra mysafire e drejtuar nga një ish futbollist i Vllaznisë, si Rrahman Hallaçi, shënoi e para në portën kuqeblu në minutën e 26-të me anë të Kolës.
Skuadra kuqeblu e drejtuar nga dyshja e trajnerëve, Sibson-Borshi, hidhet e tëra në sulm për të shënuar golin e barazimit dhe e gjejnë atë dy minuta nga fundi i pjesës së parë me autor Ridvan Grudën(Aliu), njërin prej pjesëtarëve të dinastisë së Grudajve të futbollit shkodran.
Me rezultatin e barabartë 1-1 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta do të sillte shumë shpejt golin e avantazhit për Vllazninë. Për këtë ka menduar i zakonshmi Eraldo Deda që në minutën e 60-të fikson rezultatin 2 me 1 në favor të kuqebluve.
Minutat në vazhdim, janë edhe më luftarake, ku për hirë të së verteets, në 15-të minutat e fundit kuksianët e kërkuan me insistim golin e barazimit, por gatishmëria e shtatlartit të potës kuqeblu, Entoni Shkoza nuk lejon prekjen e rrjetës duke bërë që Vllaznia të dalë fituese me rezultatin 2 me 1.
Një fitore, që e mban Vllazninë U-21 në vendin e dytë, tashmë 54 pikë, e shkëputur me 4 pikë më shumë nga Kukësi i vendit të tretë. Fitore, siç e theksoi edhe zv.trajneri Ergi Borshi në përfundim të ndeshjes, merr vlerë akoma më të madhe, pasi në ndryshim nga ndeshjet e tjera të mëparshme, këtë radhë në formacionin e Vllaznisë U-21 nuk kishte asnjë futbollist nga skuadra e parë e drejtuar nga trajneri Mirel Josa.
(Video: Pamje nga ndeshja Superliga U21, Vllaznia-Kukësi 2-1)