Vllaznia: Esmirald Peraj, Mario Lugaj, Endri Jukni, Visar Lleshi, Gentjan Curraj, Ardit Taflaj, Gilman Talani, Nikolin Qafarena, Gersi Jula. Trajner: Artan Kalaja, Ermal Kraja
Elbasani: Sokrat Kela, Luis Agushi, Kadrion Koni, Eduard Çeta, Muhamed Gashi, Klajdi Kallajxhiu, Orest Tollumi. Trajner: Fisnik Lushnjani
Gjyqtar: Edison Kurti, Roland Mujo
Vllaznia-Elbasani, ishte njëri nga çiftet e javës së pestë të Kampionatit Kombëtar të volejbollit për Superligën e meshkujve, takim ky i luajtur pasditen e së dieles në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës.
Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja, vinin në këtë javë të pestë, me vetëm një fitore, atë të realizuar në shtëpi me Skënderbeun e Korçës, si dhe me tre humbje të pësuara.
Përballë kishin një skuadër modeste si Elbasani që mbyll renditjen pa asnjë fitore, por që për hirë të së vertetes, në ndeshjen me Vllazninë në trasnfertë bëri një paraqitje dinjitoze. Elbasanasit e drejtuar nga trajneri Fisnik Lushnjani u shfaqën me një ecuri pozitive, madje edhe me kryesim deri tek pika e 20-të. Por, pikërisht, aty ishte Vllaznia, që me cilësinë dhe kualitetet më të mira në formacion tregohej më e saktë në pikët deçizive duke arritur të finalizonin setet me fitore.
Në fakt, seti i parë ishte disi më i lehtë për skuadrën kuqeblu, teksa e mbylli me fitore 25-18. Ndërkohë, në dy setet e tjera rivaliteti ishte shumë më i madh, por që gjithësesi, ishte Vllaznia që i mbylli në favor të saj. 25-21 ishin shifrat e setit të dytë dhe 25-20 ato të setit të tretë, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej me fitoren e pastër të Vllaznisë me rezultatin 3-0.
Për t’u theksuar është se në radhët e Vllaznisë në këtë ndeshje nuk u aktivizua kapiteni Nikolin Qafarena, i cili në fakt u pa në nxemje përpara fillimit të ndeshjes, por për arsye dëmtimi, trajneri Kalaja vendosi të mos e aktivizoi duke mos dashur të rrezikojë deri në rikuperimin e plotë të tij.
Me këtë fitore, e dyta në këtë fazë të parë të kampionatit, Vllaznia vazhdon të jetë në vendin e pestë me 6 pikë duke lënë prapa Studentin me 4 pikë, Teutën me 2 pikë dhe Elbasanin me 0 pikë. Ndërkohë, në krye të renditjes është Partizani me 15 pikë, i ndjekur nga Tirana me 12 pikë, si dhe Erzeni dhe Skënderbeu me 11 dhe 10 pikë.
(Video) Ndeshja Vllaznia-Elbasani 3-0. Superliga Volejboll Meshkuj- (Seti i dytë-Java e pestë- Shkodër 29 tetor 2022)