(Video) Tre kartonë të kuq, por Vllaznia U17 shpallet kampione në futboll vajza. Skuadra e drejtuar nga trajnerja Paula Jaku, mundi në finale Kinostudion me penallti 5-4, pas mbylljes së kohës së rregullt në 1-1

Vllaznia U17-Kinonstudio U17, 1-1(Penalltitë 5-4)

Dopio titull në futboll vajza për Vllazninë. Pas ekipit të parë, është Vllaznia U17 që fiton finalen me Kinostudion duke u shpallur kampion i Shqipërisë 2024-25

Në harkun kohor të katër ditëve, futbolli i vajzave sjell në Shkodër dy tituj kampion. Pas ekipit të parë të drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, i cili duke fituar 2-0 finalen me Partizanin shpallet për herë të 12-të radhazi kampione e Shqipërisë, pasditen e sotme të njëjtën gjë ka bërë edhe Vllaznia U17, e cila e drejtuar nga trajnerja Paula Jaku, fitoi finalen me Kinostudion duke u shpallur për herë të pestë radhazi kampion i Shqipërisë.

Ndeshja e luajtur në fushën e Kompleksit Sportiv të ekipeve Kombëtare Kamzë u shoqërua me luftë të fortë sportive dhe me tension, ku më e dëmtuara ishte Vllaznia e cila u ndëshkua me tre kartonë të kuq, ku arbitrja kryesore Disela Lekgegaj, krahas dy futbollisteve Klevisa Ndoci dhe Desara Lorja, nuk kurseu edhe presidentin e KFF Vllaznia, Lazër Matija.

Pjesa e parë e kësaj ndeshje është mbyllur me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 1 me 0, falë golit të shënuar në minutën e 31-të nga kapitenia Herta Hasaj.

Në 45 minutat e dyta, Kinostudio, fiton një penallti të dyshimtë të akorduar nga gjyqtarja Lekgegaj, për të cilën gjen reagimin e kampit kuqeblu. Megjithatë, vendimi është zbatuar, ku pas gjuajtjes së Gelda Kadiollit, vendaset barazojnë rezultatin në minutën e 53-të, 1-1.

Vllaznia nuk pajtohet me rezultatin dhe insiston në kërkim të golit të fitores duke ushtruar presion në portën e Kinostudios. Minuta këto që shoqërohen me tension dhe kartonë, ku pas katër të verdhave në minutat e mëparshme, vijnë edhe tre të kuqe në adresë të kampit kuqeblu, fillimisht në drejtim të Presidentit Lazër Matija, dhe më pas edhe ndaj dy futbollisteve Ndoci dhe Lojra, ndërkohë që në kampin tjetër të Kinostudios ka vetëm një karton të verdhë në adresë të kapitenes Bora Bushati.

Koha e rregullt prej 90-të minutash mbyllet në barazim me rezultatin 1-1, duke ia lënë gjuajtjes së penalltive për të përcaktuar ekipin kampion.

Falë edhe portjeres së talentuar Ambra Reshiti, e cila arriti të presë dy penallti, dhe saktësisë së kolegëve të saj, Vllaznia e drejtuar nga trajnerja Paula Jaku dhe kolegu i saj Fabiol Rexhepi, fiton me rezultatin 5-4 duke u shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin 2024-225.

Në ceremoninë e organizuar pas ndeshjes, ka qënë përfaqësuesi i FSHF-së, Endi Hyka, i cili i ka dorëzuar Vllaznisë U17, medaljet dhe trofeun e titullit kampion për sezonin 2024-2025 duke bërë që në kampin kuqeblu të shpërthejë festa.

(Video) Pamje nga ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut për ekipin e Vllaznisë U17 në futboll vajza, sezoni 2024-2025

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu