Për Vllazninë e futbollit të femrave duket se edhe në këtë sezon futbollistik nuk ka kundërshtarë të denjë për të. Realisht, gjatë dy viteve të fundit pati përpjekje jo të vogla për të rivalizuar skuadrën kuqeblu, kryesisht nga Apolonia, Tirana dhe Partizani, por nuk ia arritën këtij qëllimi.
Kundërshtari i radhës që tentoi të sfidonte Vllazninë ishte Partizani, i cili këtë fundjavë ishte mysafir në Shkodër në kuadrin e një ballafaqimi të rëndësishëm, siç ishte gjysëmfinalja, Vllaznia-Partizani.Takim ky që u zhvillua në stadiumin “Reshit Rusi”,duke shënuar kështu ndeshjen e parë zyrtare pas katër muaj pause për arsye të punimeve në shtrimin e tapetit të ri.
Por, megjithë seriozitetin dhe përkushtimin maksimal që skuadra e kuqe shfaqi në minutat e para të takimit, skuadra e drerjtuar nga trajneri Nikolin Leka nuk fal dhe godet rreptë me dopietën e të zakonshmes Megi Doçi si dhe me një tjetër të Luçie Gjinit duke fiksuar shifrat e pjesës së parë 3 me 0 në favor të Vllaznisë.
Pas pushimit, Partizani tenton sërishmi për të shënuar në portën e Vllaznisë duke synuar rihapjen e takimit, por skuadra kuqeblu nuk lë asnjë shteg për ta diskutuar fitoren e kësaj ndeshje.
Madje, për ta përforcuar edhe më shumë qetësinë e fitores tund edhe katër herë të tjera rrjetën kundërshtare në pjesën e dytë. Protoganiste janë përsëri Gjini dhe Doçi, e para me dopietë dhe e dyta me një gol. Por, së bashku me golat e pjesës së parë, në fund të ndeshjes e cila mbyllet me fitoren e thellë të Vllaznisë 6-0, Megi Doçi dhe Luçie Gjini figurojnë me nga 3 gola të shënuar nga secila prej tyre.
Fitorja në fjalë e kualifikon Vllazninë e futbollit të femrave në finale e Kupës së Shqipërisë, fitoren e trofeut të të cilit do ta diskutojë me skuadrën që do të kualifikohet në sfidën tjetër gjysëmfinale, Tirana- Kinostudio.