Vllaznia e futbollit femra zhvilloi pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore një ditë para ndeshjes me kampionen e Bjellorusisë, Dinamo Minsk, takim ky i vlefshëm për turin e dytë të women Champions League.
Seanca e sotme u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, pikërisht aty ku mbëmjen e së mërkrës së 27 gushtit do të luhet ndeshja zyrtare me bjelloruset, e para për kuqeblutë në grupin 4.
I pranishëm në minutat e fundit stërvitore të kësaj seance ka qënë edhe Presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, i cili duke pasur në krah stafin teknik, trajnerin e parë Nikolin Leka, zëvendëstrajneren Paula Jaku dhe trajnerin e portjerëve Fabiol Rexhepi, pasi i ka folur skuadrës për rëndësinë e ndeshjes ka kërkuar nga futbollistet kuqeblu dhe stafi teknik fitore ndaj ekipit bjellorus si dhe vendin e parë në grup duke u kualifikuar në turin e tretë të fazës së grupeve.
Në këmbim të realizimit të këtij objektivi, presidenti Matija ka bërë të ditur edhe premion ekstra financiare, si një shtysë më shumë në mënyrë që skuadra të bëjë më të mirën në fushën e lojës.
(Video) Pamje nga seanca e fundit stërvitore e KFF Vllaznia në stadiumin “Loro Boriçi” në prag të ndeshjes zyrtare ndaj ekipit kampion të Bjellorusisë, Dinamo Minsk.
Gaspër MARKU