Vllaznia e Shkodrës është shpallur kampione e Shqipërisë për Kategoria Superiore U-21. Titulli në fjalë që i përket sezonit 2022/2023 në fakt është fituara dy javë përpara mbylljes së kampionatit, ndërkohë që përballja e sotme me Tiranën U21 e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës e vlefshme për javën e fundit ishte thjesht për statistikë.
Megjithatë, kjo nuk i pengoi dy skuadrat e drejtuara nga trajnerët respektiv, Elvis Plori të Vllaznisë dhe Gentjan Muça të Tiranës, të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 2-1, falë golit të Dulajt dhe autogolit të Gjinajt, teksa për bardheblutë golin e vetëm e realizoi Bala.
Me 45 pikë të grumbulluara në 27 javë kampionat, Vllaznia meritoi titullin kampion duke lënë pas Partizanin dhe Bylisin në vend të dytë dhe të tretë.
Pas përfundimit të ndeshjes, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi ceremoninëe mbylljes së kampionatit, ku me praninë edhe të ish-trajnerit të njohur të kombëtares së moshave Agim Medja, njëherazi edhe ish drejtues i klubit të futbollit Vllaznia, Agim Medja bëri dorëzimin e medaljeve të kampionit për futbollistët dhe stafin drejtues.
Momenti me emocionues ishte ai kur kapiteni kuqeblu Egzon Shimaj, ngriti lart trofeun e titullit kampion për sezonin 2023-2023, kategoria Superiore U21.
Kategoria Superiore U-21 është një iniciativë e rëndësishme e ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit disa vite më parë dhe një projekt me vlera për futbollin e të rinjve.
Përmes këtij kampionati lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, u jepet shansi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve.
Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve.
(Video) Pamje nga ndeshja e javës së fundit, Vllaznia U21-Tirana U21, 2-1 si dhe ceremonia e dorëzimit të trofeut dhe medaljeve për ekipin kuqeblu.
Gaspër MARKU