Në sfidën e sotme ndaj Valur, e vlefshme për UEFA Conferencë League që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 20:30, nga formacioni i një jave më parë në Rejkjavik, mungojnë Deliu dhe Bajrami. I pari i skualifikuar me karton të kuq në pjesën e dytë të ndeshjes në Islandë dhe i dyti, të cilin ndeshja e parë në transfetë e ka lënë me pasoja dëmtimi. Që duke i shtuar edhe Ildi Grudën që vazhdon të vuajë prej kohësh dëmtimin e tij, mungesat shkojnë në tre.
Për zëvendësimin e tyre, kuqeblutë kanë punuar gjatë të gjithë javës, ndërkohë që pasditen e së mërkurës, me stërvitjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, e fundit anti-Valur, Brdariç duket se ka mbyllur gjithçka sa i përket emrave që do të nxjerrë në fushë nga minuta e parë.
E ndarë në dy grupe, tekniku i parë Thomas Brdariç në njërën anë me futbollistët e projektuar të luajnë në formacion nga minuta e parë, si dhe në anën tjetër dy ndihmësit e tij, Sinani dhe Borshi me pjesën tjetër të skuadrës, kuqeblutë konsumuan rreth 60-të minuta me ushtrime të përgjithshme.
Një seancë, të cilën e ndoqi nga afër edhe presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, Alban Xhaferi, ndërkohë që pati momente të takohej prej së afërmi me stafin teknik, drejtorin sportiv dhe futbollistët.
Me aq sa u pa në fushën stërvitore, për dy mungesat e fundit, Deliun dhe Bajramin, Brdariç ka menduar t’i zëvendësojë me Alivodën dhe brazilianin Jago. Ndërkohë, pjesa tjetër e formacionit është ajo që u aktivizua në ndeshjen e parë të luajtur në Rejkjavik, me Qarrin në portë, Gurishtën, Stojanoviç dhe Juriç në prapavijë, Krymi, Qato, Kahramanoviç në mesfushë dhe Mala dhe Balajn në vijën e parë.
Menjëherë pas përfundimit të seancës së djeshme, skuadra kuqeblu ka lënë qytetin e Shkodrës duke u grumbulluar në një nga hotelet në periferi ku do të qëndrojë deri rreth dy orë përpara fillimit të ndeshjes. Nga sa mësohet, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, për të motivuar skuadrën drejt kualifikimit ka vendosur një premio të konsiderueshme për fitoren e ndeshjes së sotme.
Ndeshja, Vllaznia-Valur luhet sonte në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 20:30 dhe do të transmetohet nga TVSH dhe RTSH Shkodra.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e zhvilluar pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.