Vllaznia-Tirana 82:63
Vllaznia-Tirana, ka qënë padyshim ndeshja kryesore, por edhe më e bukura e kësaj fundjave për Superligën e Basketboll Meshkuj. Një ndeshje, e cila falë edhe tifozërisë shkodrane, e cila kishte kohë që nuk shfaqej kaq e madhe në numër, ka dhuruar emocione të shumta.
Kuqeblutë vinin në këtë ndeshje pas një situate aspak të mirë, ku si rezultat i tre humbjeve radhazi, trajneri nga Kosova, Fabian Gjuka, kishte dhënë dorëheqjen.
Në pritje të një trajneri tjetër, presidenca e Shoqatës së Basketbollit ia besoi drejtimin e skuadrës, basketbollistit Damian Bekteshi, i cili në fakt edhe gjatë periudhës së drejtimit nga pejani Gjuka, Bekteshi ka qënë ndihmësi i tij.
Dhe, për hirë të së vertetes, Bekteshi ka surprizuar me vlerat e shfaqura prej tij në drejtimin që i bëri skuadrës në këtë ndeshje. Në fushën e lojës dukej një Vllazni krejt tjetër, e cila, sidomos në pjesën e dytë, dhe kryesisht në periodën e katërt, dhuroi spektakël në fushën e lojës.
Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së dieles në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është mbyllur me fitoren e skuadrës kuqeblu, me rezultatin e thellë 82- 63. Një fitore që kanë meritë të gjithë basketbollistët kuqeblu, dhe patjetër që një meritë e madhe shkon edhe për trajnerin debutues Damian Bekteshi, i cili arriti të menaxhojë ndeshjen e tij të parë në mënyrë të shkëqyer.
Menjëherë pas ndeshjes, basketbollisti-trajner, Damian Bekteshi, u shpreh i kënaqur për fitoren e kësaj ndeshje, si dhe për të ardhmen e tij në krye të pankinës kuqeblu. Për më shumë, ndiqni videon me intervistën që Damian Bekteshi i dha Veriu Sport:
(Video-Trajneri i Vllaznisë, Damian Bekteshi, flet pas ndeshjes, Vllaznia-Tirana, 82-63)
Gaspër MARKU