Peja-Vllaznia 71-81(12-25, 18-23, 19-22, 22- 11)
Vllaznia e basketit vijon të bindë në fushën e lojës. Pas një seri ndeshjesh pozitive në kampionatin e Superligës së Shqipërisë me plot shtatë fitore radhazi, kuqeblutë e koshit kanë bërë të njëjtën gjë edhe në kompeticionin e Ligës Unike Shqipëri-Kosovë, teksa kanë sfiduar në transfertë ekipin e njohur kosovar Go+ Peja.
Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit, “Karagaqi” të Pejes ka paraqitur një Vllazni të mirëorganizuar në të gjitha drejtimet, ku krahas kontigjentit bazë të skuadrës, ka bërë debutimin e tij të parë me kuqeblutë edhe lojtari më i ri, Bradley George, basketbollist ky që vjen pas eksperiencës me Plevlja në kampionatin malazez.
Një Vllazni shpërthyese që në start të takimit, e cila që në dy sulmet e para të ndeshjes shënon dy koshat e parë me Justin Thomas dhe Klajdi Kirin duke marrë antazhin 0 me 4, për të vijuar ta mbajë atë edhe në minutat në vazhdim deri në mbyllje të periodës së pare, e cila mbyllet me fitoren e Vllaznisë, 12 me 25.
Kuqeblutë vazhdojnë të luajnë mirë edhe në dhjetëminutat e periodës së dytë, ku përsëri avantazhi është në anën e kuqebluve, këtë radhë me shifrat 18-23, me një mbyllje të pjesës së parë në avantazh plus 18 pikë, 30 me 48.
Edhe pas pushimit mes dy pjesëve, Vllaznia vazhdon të ketë një përformancë të mirë në fushën e lojës, gjë që e tregon edhe fitimi i periodës së tretë 19 me 22 duke e thelluar akoma më shumë avantazhin në plus 21 pikë, me shifrat 49-70.
Në dhjetë minutat e periodës së katërt dhe të fundit e krejt ndeshjes, ka një reagim nga skuadra vendase, e cila e mbështetur edhe nga tifozëria vendase pejane e fiton këtë periodë 22-11, por pa mundur të frenojë fitoren e merituar të krejt ndeshjes nga Vllaznia me rezultatin 71-81.
Bazuar në statistikat e ndeshjes, lojtarët më të spikatur kuqeblu ishin Justin Thomas me 28 pikë, 4 kërcime dhe 7 asistime, për të vijuar me Klajdi Kirin me 15 pikë, Arnold me 11 dhe George me 10.
Fitorja në transfertën pejane për Ligën Unike, e teta radhazi, ka krijuar një klimë shumë entuziaste dhe motivuese në radhët e kuqebluve, pikërisht pak ditë para një sfide tjetër shumë të rëndësishme, siç është e kësaj fundjave, ku Vllaznia pret në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës Tiranën.
Një klasike e basketbollit shqiptar, që vë përballë dy skuadra që për momentin janë në garë për vendin e dytë duke ndjekur hap pas hapi Besëlidhjen kryesuese.
Një klasike, që për t’u kaluar me sukses nga Vllaznia, kërkohet mbështetja e tifozërisë shkodrane për të mbushr tribunat e pallatit të sportit.
Të dielën, ora 18:00, të gjithë në “Qazim Dervishi” për klasiken e basketit, Vllaznia-Tirana!
(Video) Përmbledhja e ndeshjes së Ligës Unike, Peja-Vllaznia 71-81.



