Vllaznia-Partizani 0-3(14-25, 17-25, 20-25)
Paralelisht me ndeshjet Ligës Kombëtare “Gjergj Kastrioti”, Federata Shqiptare e Volejbollit ka nisur këtë fundjavë edhe ndeshjet e kampionatit kombëtar. Në kuadrin e javës së parë të fazës së dytë, në Shkodër ishin mysafirë dy ekipet e Partizanit për femra dhe meshkuj, ndeshje këto të luajtura mbrëmjen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Dueli i parë mes dy klubeve, ka qënë ai i femrave, ku me gjithë përpjekjet e skuadrës kuqeblu të drejtuar nga trajneri Dorian Tafa, seti i parë mbyllet me rezultatin 14-25 në favor të Partizanit.
Edhe pse kanë përballë një skuadër në kushte jo të barabarta, pasi në gjirin e Partizanit, i cili kryeson i vetëm kampionatin, luajnë edhe lojtare të huaja, Vllaznia e tëra me vajza shkodrane, arrin ta rrisë disi më tepër nivelin në setin e tyre, gjë që tregojnë edhe pikët e realizuara, 17 të tilla, por gjithësesi pa mundur të frenojnë Partizanin ta fitojë edhe këtë set me rezultatin 17-25.
Rritja e Vllaznisë vijon edhe në setin e tretë, madje vajzat e reja të udhëhequra nga kapitenia me përvojë, Klodeta Zhivani, shkojnë deri tek pika e 20-të, por përsëri në skenë del potenca e skuadrës mysafire, e cila arrin ta mbyll setin 20-25, dhe të gjithë ndeshjen me fiore, 0-3.
Vllaznia-Partizani, ishte ndeshja e parë e javës së tetë në volejboll për femra. Me fitoren e arritur në Shkodër, Partizani shkon në kuotën e 24 pikëve duke vijuar të kryesojë i vetëm, ndërkohë që Vllaznia mban vendin e katërt me 12 pikë.
Ndeshjet e tjera të javës së tetë luhen të shtunën, sipas këtij kalendari: Korabi-Barleti, Lushnja-Teuta dhe Tirana-Skënderbeu.
(Video) Pamje nga ndeshja e volejbollit femra, Vllaznia-Partizani 0-3(Kampionati-java e 8-të)