Kukësi-Vllaznia 0-1 (Shënues: Kalaja 58-të)
E premte, 15 janar 2021, ora 18.00, në stadiumin “Elbasan Arena”
Kukësi: Tafa, Bytyçi, Hetemi(85’ Domi), Lulaj, Dragoshi, Taipi(62’ Limaj). Ibraimi, Kotobelli, Leiria, Gashi(78’ Peposhi), Eze. Trajner: Rr. Hallaçi
Vllaznia: Zogovic, Kruja, Adili, Imami, Isaevski, Krymi, Marku, Jonuzi, Imeri(90+2’ Shehi), Kalaja(72’ Avdiaj), Dilaver(87’ Da Silva). Trajner: Th. Brdariç
Një Vllazni e pamposhtur, e cila nuk ndalet as në javën e 14-të duke realizuar fitoren e dhjetë në Superioren e futbollit shqiptar. Mbrëmjen e sotme ajo mundi në transfertë Kukësin që pretendonte frenimin e kuqebluve, por edhe ngjitjen në tabelën e klasifikimit. Fitorja e kësaj ndeshje për skuadrën shkodrane vjen përmes golit të shënuar në pjesën e dytë nga Arlind Kalaja që në këtë ndeshje luajti ndeshjen e tij të parë si titullar duke zëvëndësuar në fushë Arlind Hoxhaj i pezulluar me karton të kuq ndeshjen e kaluar. Gol ky i shënuar në minutën e 58-të pas një gjuajtje të fortë dhënë nga Herald Marku dhe topi të kthyer nga portjeri Tafa, të cilin Kalaja e shtyu në rrjetën e ish skuadrës së tij të para dy-tre sezoneve.
Ndeshja
Referuar ecurisë së lojës duhet thënë se Vllaznia e meritoi plotësisht fitoren tre pikëshe, pasi me ritmin e lartë që paraqiti në fushë ishte dominuese e krejt takimit. Ajo mund të shënonte edhe në pjesën e parë, pasi rastet për gol nuk munguan, sidomos në sekondat e fundit të minutës së dytë shtesë, por gjuajtja e kalibruar nga distanca e Floart Jonuzit ka shkuar ngjitur me trekëndëshin e majtë të portës kukësiane të mbrojtur nga portjeri Tafa.
Por goli do të vinte në pjesën e dytë, ku merita i takon këmbënguljes së Arlind Kalasë, zhytja e guximshme mes mbrojtësve kukësianë sjellë golin e avantazhit që më pas do të rezultonte edhe i fitores tre piëkshe.
Për skuadrën kukësiane, ishte shumë pak një rast i minutës së 27-të me anë të Leirës që u pengua në vijën fatale nga portjeri Zogoviç, ndërkohë që shansin më të madh për të barazuar rezultatin ishte minuta e 70-të kur topi i goditur brenda zonës nga Hetemaj ndalet nga shtylla e majtë pingule e Zogoviçit.
Disa minuta të mira për vendasit që kërkojnë golin e barazimit, por vetem kaq sepse Vllaznia e rikthen sërishmi lojën në favor të saj ku rastet për të ndëshkuar Kukësin me golin e dytë vijnë njëri pas tjetrit, por pa arritur të konkludojnë. Pesë minutat e fundit, Kukësi zgjohet duke tentuar marrjen e një pike, ku në një moment, në të 88-tën pretendon për penallti por në të kundërt merr nga gjyqtari Hamiti kartonin e verdhë në dëm të Ezesë për protestë. Edhe një shans tjetër për për kukësianët me shpresën e fundit të minutës së tretë shtesë, por aksionin e shpërdoron Dragoshi duke shkaktuar faull, ku Hamiti pas kartonit të dytë të verdhë e largon nga fusha me të kuqe. Këtu mbyllet gjithçka, sepse edhe koha shtesë ka skaduar dhe me vërshëllimen përfundimtare të gjyqtarit Hamiti mbyllet i gjithë takimi me rezultatin 0 me 1 në favor të Vllaznisë.
Mbyllja
Në kampin shkodran shpërthen me të drejtë festa. Tre pikët e sotme e ngrejnë Vllazninë në kuotën e 32 pikëve. E dhjeta fitore për skuadrën kuqeblu në këtë kampionat që tregon forcën, klasin dhe mjeshtrinë që disponon skuadra shkodrane, që tashmë, pasi ka spostuar në 15 pikë diferencë një Kukës i formatuar për titull, i ka të gjitha mundësitë të mirëmenaxhojë konkurencën me rivalet e tjera, të cilat e ndjekin me 9 pikë më pak në renditje për të shkuar drejt ëndërrës së shkodranë, fitimin e titulit kampion.
Gaspër MARKU