Kuqeblutë e Vllaznisë janë në rrugën e duhur. Pas 14-të javëve kampionat kryesojnë me meritë tabelën e klasifikimit me 32 pikë e shkëputur në një distancë prej nëntë pikësh me rivalët më të afërt, Partizani dhe Teuta që janë me pikë të barabarta nga 23 pikë. Rezultatet tregojnë se kuqeblutë tashmë e kanë marrë drejtimin drejt realizimit të një objektivi madhor, titullit kampion, që shkodranët ka vite që e presin.
Optimist për realizimin e një objektivi të tillë është edhe vetë sponsori kuqeblu, Alban Xhaferi. “Akoma se kemi kaluar mesin e kampionatit. Është herët për të folur për titullin, por jemi në rrugën e mirë për të realizuar ëndrrën. Nga ndeshja në ndeshje skuadra po avancon, po bën lojëra të bukura. Le ti lemë tifozët të ëndërrojnë, ne duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk duhet të kalojmë në eufori. Jemi në rrugën e mbarë për të arritur objektivat”, u shpreh Xhaferi pak minuta më parë në emisionin “Sport News Plus” ku është i ftuar në panel.
Në vijim ai shtoi se Vllaznia nuk ka frikë asnjë skuadër në kontekstin e lojës, konkurron bindshëm, pa ja ulur vlerën skuadrave të tjera, ndërsa nuk e ka presionin e titullit, pavarësisht se i mungon Shkodrës prej 20 vitesh. “Boll kemi vuajtur, objektivi për të kapur Kupat e Europës, e ka relaksuar skuadrën. Nuk kemi gjeneralë, por kemi disa ushtarë të lirë që i binden urdhrave të trajnerëve. Është krijuar një frymë pozitive, që po sjell performimin e mirë. Të ecim në këtë rrugë dhe mos kalojmë në eufori. Detyra jonë është t’i krijojmë skuadrës të gjitha lehtësirat që të jenë të qetë dhe të japin maksimumin”, theksoi në vijim Xhaferi.
Për Xhaferin, është mëkat që kjo situatë pozitive e Vllaznisë po shoqërohet pa tifozët e saj të zjarrtë, që sipas tij i mungojnë shumë skuadrës. “Le t’i lemë të ëndërrojmë dhe të ecim me këmbë në tokë, për të arritur kur duan ata. Do të qe realizimi i ëndrrës që kemi që e presim prej 20 vitesh. Tifozët janë lojtari i 12, pa to ne nuk jemi këtu. Ju bëj thirrje të gjithë instancave përkatëse që të lejohen tifozët në numër të reduktuar”, nënvizoi ai. Në vijim, Xhaferi foli edhe për merkaton duke u ndalur tek blerja më e fundit, Avdiaj, të cilin e morën nga Tirana. “ Avdiaj ishte dëshira e trajnerit për ta bërë pjesë të Vllaznisë, pasi kishin punuar bashkë me futbollistin te Volfsburgu dhe e njihte. Çdo lojtarë që vjen dëshirohet të jetë në linjën e ekipit. Hoxhaj pati një rritje të madhe te Vllaznia, pati një kërkesë konkrete nga Turqia, ne e refuzuam. Do të shikojmë ofertat e tjera më të mira edhe për të. Kemi bërë një rinovim të kontratës edhe për 2.5 vite. Por gjithsesi do të shohim që ai mos mbetet peng, në mbarimin e kampionatit. Për ne është krenari dhe kënaqësi që një lojtar i Vllaznisë të shkojë në një ligë më të mirë. Te Vllaznia është momenti që të mendojë jo vetëm për afrimin por edhe për shitjen e lojtarëve”, përfundoi sponsori kuqeblu, Alban Xhaferi.