Mesa duket, viti 2022 është viti i futbollit të vajzave në Shqipëri! Më shumë vajza në futboll, garë më e fortë, emocione më të mëdha, madje, edhe më shumë tifozë në shkallët e stadiumeve, në mbështetje të ekipeve të tyre të zemrës! Futbolli i vajzave është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që prej vitit 2020 mbështet financiarisht dhe materialisht çdo vajzë të regjistruar që luan futboll.
Deri para pak vitesh, futbolli i vajzave, për fat të keq ishte i papërfillur nga shumëkush, teksa në stadiume, mbështetja vinte veç nga prindër apo familjarë të paktë të futbollisteve heroina, që luajtën me zemër pavarësisht ndjekësve. Ndërsa sot, duket se gjërat po ndryshojnë. Veç familjarëve, në stadiume ka edhe shokë e shoqe, por edhe thjesht tifozë ‘ultras’ që mbështesin skuadrën, pavarësisht nëse në fushë rreshtohen djemtë apo vajzat.
Emrat e ‘Vllaznisë, Tiranës, Partizanit, Apolonisë, Skënderbeut, Laçit, Kukësit, Lushnjes, Teutës e Kinostudios’ po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për tifozët shqiptarë, të cilët duket se fundjavat vjeshtore preferojnë t’i kalojnë duke parë vajzat profesioniste duke luajtur futboll. Numrat e tyre kanë nisur të rriten, teksa vetëm përgjatë kësaj fundjave, në derbin e kryeqytetit për vajza, Partizani – Tirana ishin të pranishëm rreth 600 tifozë, mbështetës të dy skuadrave.
Numri më i lartë i tifozëve në stadiumet shqiptare ishte para pak ditësh, në sfidën ‘Vllaznia – Real Madrid’, e vlefshme për ndeshjen e Champions League për vajza. Shkodranet shkruajtën historinë dy herë, fillimisht duke u kualifikuar në grupet e këtij kompeticioni të rëndësishëm e së dyti, ‘duke tërhequr’ në stadium rreth 5000 tifozë, të cilët mbështetën për 90 minuta të plota vajzat kuqeblu.
Mbështetja po rritet edhe më shumë, teksa tashmë, falë Federatës Shqiptare të Futbollit, ndeshja më e rëndësishme e kampionatit të vajzave vjen falas për të gjithë tifozët shqiptarë, duke e ndjekur në kanalin zyrtar të FSHF-së në Youtube. Ndeshja e kësaj fundjave, Partizani – Tirana u ndoq nga mbi 4200 tifozë përmes ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit. Një mundësi mjaft e mirë për të rritur më shumë numrin e tifozëve në futbollin e vajzave, që duket se po jep frytet e veta në këto javë të para.