Pas tre ditëve pushim, Vllaznia ka zbritur sot në fushën stervitore duke nisur kështu javën e fundit përgatitore për ndeshjen europiane të turit të parë të “Conference League” që do të luhet në transfertë me datë 8 korrik përballë skuadrës boshnjake, FK Siroki Brijeg.
Tre ndeshjet miqësore të zhvilluara, një në Podgoricë dhe dy të tjera në Zllatibor të Serbvisë, të cilat përfunduan që të tria në barazim, treguan një nivel të kënaqshëm për skuadrën kuqeblu. Megjithatë, ditët stervitore në Shkodër deri me datë 7 kur skuadra do të niset drejt Bosnjes pritet të jetë vendimtare, jo vetem për formën sportive të secilit futbollist, por edhe sa i përket formacionit që do të luajë nga minuta e parë.
Përpos tre emrave të mëparshëm që firmosën për ngjyrat kuqeblu, gjatë këtyre ditëve janë zyrtarizuar edhe dy të futbollistë të rinjë, Smajli dhe Muliu, futbollistë këto që vijnë nga Akademia Vllaznia. Megjithatë, ajo që pritet me shumë interes është zyrtarimi edhe me një emër të njohur si Liridon Latifi, futbollist kosovar që ka luajtur me shumë sukses në radhët e Skenderbeut të Korçës, ndërkohë që sezonin e fundit e përfundoi në Hungari me FC Pushkash Akademi.
Përt Latifin ka ditë që flitet për veshjen kuqeblu, por tashmë, sipas edhe informacionit zyrtar nga Klubi i Futbollit Vllaznia gjërat kanë avancuar shumë. Që do të thotë se mes palëve është arritur akordi dhe pritet vetëm firma në mënyrë që ditën e premte, Latifi t’i bashkohet skuadrës në stervitje duke qënë kështu në dispozicion të trajnerit Brdariç për ndeshjen e parë europiane ndaj FK Siroki Brijeg të Bosnjes.
Nga ana tjetër, për futbollistët në provë që gjatë ditëve përgatitore të Zllatiborit ishin pjesë e skuadrës, dyshja braziliane Bruno de Oliveira Souza dhe Uellington Gustavo, si Markovanbasten Çema, mësohet se stafi teknik ka marë vendimin për t’i lënë të lirë. Sipas drejtuesve, vendimi në fjalë është marrë nisur nga fakti se gjatë kësaj periudhe futbollistët nuk kanë qënë në pritshmërinë e asaj që kërkohet për t’u bërë pjesë e Vllaznisë. Sidoqoftë, zyrtarisht, vendimi për largimin e tyre nga Vllaznia pritet të jepet ditën e premte.