Vetëm një ditë kanë pasur pushim kuqeblutë, atë të së premtes, një ditë pas ndeshjes së luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, ku mposhten me rezultatin 2 me 1 ekipin islandez, Vikingur.
Ndërkohë, e shtuna dhe e diela e ka gjetur ekipin e Vllaznisë në fushën stërvitore duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e kthimit, atë të transfertës, kur të enjten e ardhshme të 31 korrikut do të luajë në stadiumin Vikinsvollur të Rejkjavikut sfidën përmbyllëse të turit të dytë të “Uefa Europa Conference League”.
Një stadium ky me kapacitet prej rreth 1 mijë vendesh, që sipas të dhënave përkatëse, fusha e tij është me bar artificial, gjë e cila ia vështirëson në një farë mënyre lojën ekipit kuqeblu.
Megjithatë, skuadra nën drejtimin e teknikut Edi Martini po bën përpjekjet e duhura gjatë proçesit stërvitor, në mënyrë që ta përmbyllë me sukses edhe këtë sfidë të dytë që është edhe vendimtare për fatet e kualifikimit.
Realisht, në letër skuadra islandese Vikingur është ndër më të mirat e kampionatit të atjeshëm, dhe pozitive për to është fakti se ato janë në kulmin e sezonit, madje duke qënë edhe kryesues të tabelës së klasifikimit.
Kuqeblutë janë të vetëdijshëm që në Rejkjavik i pret një ndeshje e vështirë, ku skuadra vendase do të përpiqet të përmbysë disavantazhin e ndeshjes së parë në “Loro Boriçi”.
Për t’u theksuar është se në radhët e kuqebluve, të cilët udhëtojnë me avantazhin e fitores së ndeshjes së parë, ekziston një optimizëm për ta përballuar me sukses sfidën e së enjtes duke pasur objekiv kualifikimin, që nëse do të realizohet përbën një moment historik për Vllazninë kalimi në turin e tretë të “Uefa Europa Conference League”.
Problem për teknikun Martini mbetet gjendja shëndetësore e tre mesfushorëve, Klinti Qato, Ardit Krymi dhe Eslit Sala, i pari duke vuajtur një dëmtim që në ndeshjen me letonezët e Daugapils, dhe dy të tjerët të aktivizuar me sakrificë në përballjen me islandezët në “Loro Boriçi”, duke mos qënë në 100 përqindëshin e tyre.
Por, përpos kësaj, një tjetër shqetësim në aspektin organizativ, është edhe problematika e shfaqur me dyshen sulmuese, Mensah dhe Bismark, për të cilët paraqitet problem pajisja e tyre me vizë. Një problem ky që po ndiqet me shumë përparësi nga ana e drejtuesve të klubit të futbollit Vllaznia, për të bërë të mundur përfshirjen e tyre në delegacionin sportiv shkodran, i cili do të lërë Shkodrën, të martën, i ndarë në dy grupe, skuadra me nje pjesë të stafit me fluturim nga aeroporti i Podgoricës dhe pjesa tjetër nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit.