Vllaznia është gati për sfidën e parë të Kampionatit Kombëtar të futbollit, i 85-ti për nga radha që i përket kategorisë Superiore duke pasur përballë Kukësin Pas konferencës së shtypit dhënë mesditen e djeshme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës nga dyshta, Memelli-Balaj, skuadra ka zhvilluar pasditen e djeshme edhe seancën e fundit stërvitopre anti-Kukësi.
Ashtu siç e deklaroi edhe më herët, tekniku Memelli i ka bërë planet të luajë pa Hakajn nga minuta e parë, si dhe me një mungesë totale, siç është ajo e Ardit Krymit i dëmtuar dy ditë më parë në stërvitje, mungesë kjo që mund të zgjasë mbi tre javë.
Sfida në fjalë, Vllaznia-Kukësi do të nisë në orën 20:00 dhe pritet të ketë një interesim të madh nga ana e tifozërisë kuqeblu, pjesë e së cilës do të jenë edhe shumë emigrant, të cilët gjenden me pushime në Shkodër, nga ana e të cilëve është konfirmuar prania e tyre në stadium për të mbështetur skuadrën e zemres.
Ndonëse zyrtarisht, formacioni i Vllaznia do të mësohet rreth një orë përpara ndeshjes, atëherë kur stafet teknike depozitojnë pranë gjyqtarë të ndeshjes protokollet përkatëse, Memelli pritet t’i besojë Qarrit në portë, Smajli, Juric, Stojanovic, Asani në mbrojtje, Ceshmedjiev, Alivodai, Boshnjaku në mesfushë dhe Çoba, Mala, Balaj në sulm.