Tomas Brdariç(Trajner i Vllaznisë):
“Jam shumë i kënaqur për skuadrën dhe tifozët e veçanërisht për lojtarët e mi. Ata duhet të shijojnë këtë moment. Mësuam nga e shkuara dhe arritëm të mbijetojmë duke shkuar në finale. Kemi punuar shumë. Ajo që na ka mbajtur bashkë, ishte fakti se ne ishim të bashkuar si një ekip. Kjo ndoshta na diferencoi nga skuadrat e tjera dhe sot jemi këtu.
Me filozofinë time, nuk është se suksesi vjen sot. Ne po punojmë gjatë sepse është punë progresive. Ne do të rrijmë të qetë dhe do të vazhdojmë përpara. Ne ramë poshtë, mbijetuam dhe vazhduam e tani do të shohim rrugën drejtë.
Unë mendoj se deri tani kemi fituar. Të gjithë thonin se mund të mos bënim asgjë. Jemi hedhur në sulm dhe gjithçka është në dorën tonë tani. E kam thënë edhe herë të tjera, që ne jemi një ekip i plotë. Ne bëmë mirë sot, lojtarët presuan lart dhe kjo ndoshta i lodhi futbollistët e sulmit. Ndaj u detyruam t’i zëvendësonim sot. Asnjë ndeshje s’është lehtë. Shiko sot, Teuta humbi ndaj Skënderbeut. E kemi parë në ndeshjen e fundit Skënderbeun dhe duhet t’i japim vëmendjen e duhur. Ne duhet të japim maksimumin si sot për të arritur objektivat që kemi. Ky rezultat na ndihmon shumë për të ardhmen”, është shprehur tekniku i kuqebluve, Tomas Brdariç.
Shpëtim Duro(Trajner i Laçit):
“Më vjen keq për momentin që u ndëshkuam. Deri aty po luanim mire, ky sistem të eleminon. Nuk do ta merreshim në ato momente golin. Por, ky është futbolli, duhet të gabosh që të humbësh. Ndeshja mund të shkonte edhe me shtesë ndoshta. Mazrekaj ka pasur një ngarkesë të madhe në këto sfida. Kjo ishte arsyeja pse u aktivizua në pjesën e dytë.
Sa i përket mbrojtjes, më erdhi keq që u ndëshkuam nga një situatë standarte. Nuk na falet, unë e di kush e ka përgjegjësinë sepse i kam ndarë detyrat. Më vjen keq, pjesën e dytë patëm më zotërim lojën. Ju e patë që ishte vetëm një kundërshtar që vetëm mbrohej. Në disa momente loja u bë e bezdisur. Ne kërkuam në pjesën e dytë, por kishim epërsi ndaj kundërshtarit.
Në pushim kam kritikuar, nuk ka nevojë me emra. E dijnë shumë mirë ata, do ta analizojmë patjetër humbjen. Më vjen keq, më shqetësojnë edhe kartonat, por skuadra ka qenë shumë e karikuar dhe e tensionuar. Edhe rezultatet e fundit e kanë një shkallë tensionimi dhe nervozizmi. Nuk është mirë se na rrezikojnë me kartona. E largova Mustën sepse kisha frikë kartonin, po ashtu edhe Lushkja. Kemi pasur probleme me shumë dëmtime, skuadra s’ka qenë e plotë. Sot aktivizova një 17 vjeçar. Dua ta komplimentoj, është hera e parë që debuton në formacion dhe e justifikoi prezencën e tij”, theksoi ndër të tjera në prononcimin e dhënë m,enjëherë pas ndehsjes, trajneri i Laçit, tiranasi, Shpëtim Duro.