Tre miqësore, tre barazime. Ky është bilanci i ndeshjeve miqësore që Vllaznia zhvilloi gjatë kësaj minifaze përgatitore në prag të pjesëmarrjes në kompeticionion europian. Kanë qënë tre përballje me skuadrat e kampionatit malazes, fillimisht me Buduçnostin, më pas me Sutjeskën dhe kjo e fundit e luajtur sot në kampingun serb të Zllatiborit me Novi Pazar që përfundoi me rezultatin 2 me 2.
Ashtu si edhe në përballjet e mëparshme, tekniku Brdariç e ka nisur lojën me formacionin e parë, titullarë të cilëve pritet t’i besojë edhe në përballjen e parë europiane të 8 korrikut ndaj skuadrës boshnjake FK Siroki Brijeg, e vlefshme për turin e parë të “Conference League”.
Zogoviç në portë, Gurishta, Adili, Imami, Bulatoviç në mbrojtje, Krymi, Kaleziç, Da Silva, Jonuzi në mesfushë dhe Kruja, Dilaver në sulm. Ky ishte formacioni kuqeblu me një pjesë e parë jo e mirë për skuadrën kuqeblu, e cila falë edhe problemeve të shfaqura në mbrojtje pëson dy gola të shpejtë duke i dhënë mundësinë malazezëve të kryesojnë me rezultatin 2 me 0. Megjithatë, pas pësimit të dy golave kuqeblutë kërkojnë të reagojnë, dhe si rezultat i presionit vjen edhe vërshëllima për penallti në favor të Vllaznisë. Dilaver, ai që në ndeshjet e mëparshme ka qënë i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, këtë radhë gabon. Aktivizimi i sulmuesit të ri, Mehdi Çoba në minutat e fundit të pjesës së parë rezulton pozitiv, pasi është po ky futbollist që sjellë golin e parë kuqeblu duke bërë që pjesa e parë të mbyllet 2 me 1 në favor të malazezëve të Novi Pazar.
Entuziasmi i minutave të aktivizimit në fundin e pjesës së parë për sulmuesin Çoba do të vijonte edhe në pjesën e dytë. Dhe, madje do të jetë sërishmi ky futbollist që tund përsëri rrjetën malazeze duke barazuar rezultatin në 2 me 2. Shifra këto që qëndrojnë në fuqi deri në mbyllje të të gjithë ndeshjes duke fiksuar barazimin e tretë kuqeblu në harkun kohor të tetë ditëve.
Një miqësore kjo që ashtu si edhe në takimet e mëparshme, evidentoi të riu Çoba si një nuhatës goli. Tre gola në tre ndeshjet miqësore, ku duke i shtuar edhe golat e shumtë të shënuar me Vllazninë U-21, janë një sinjal i drejtpërdrejtë për stafin teknik kuqeblu që të mendojë seriozisht për hapësirat që duhet t’i jepen këtij djaloshi në formacionin kuqeblu.
Me këtë miqësore, skuadra kuqeblu mbyllë ditët përgatitore serbe dhe sipas informacionit të hënën duhet të jetë në Shkodër ku do të vijojë përgatitjet themelore në pritje të sfidës së parë europianë të datës 8 korrik, atë që do të luhet në transfertë ndaj FK Siroki Brijeg, e vlefshme për turin e parë të “Conference League”