Vllaznia, me një pamje tjetër sezonin e ardhshëm. Rikthimi i Edi Martinit pas 15 vitesh në drejtimin e kuqebluve pritet të shoqërohet me ndryshime të shumta. Largime dhe afrime, skuadra duhet të jetë shumë shpejt për Kupat e Europës

Klubi shkodran, përmes një postimi në rrjetet sociale, konfirmoi bashkëpunimin me ishfutbollistin për edicionin e ardhshëm, duke lënë të nënkuptohet se palët kanë firmosur kontratë 1-vjeçare. Në këtë mënyrë, 50-vjeçari rikthehet të drejtojë sërish në Kategorinë Superiore, pas një aventure të shkurtër në Ligën e Parë të Kosovës me ekipin e Trepçës.

RIKTHIM – Ish-fantazisti kthehet të ulet në stolin e Vllaznisë për herë të dytë në karrierën e tij. Martini më parë i ka drejtuar kuqeblutë në sezonin 2009-2010. Një rikthim pas 15 vitesh në shtëpi për shkodranin, tek i cili drejtuesit e Vllaznisë shohin njeriun e duhur që mund t’i udhëheqë drejt titullit kampion, që mungon prej 24 vitesh në klub. Në këtë edicion të fundit i shkuan shumë pranë, por në finale u dorëzuan pa kushte ndaj Egnatias, duke u mposhtur me shifrat 4-0.

REVOLUCION – Siç mësohet, skuadra e re do të ndërtohet dhe riformatohet sipas ideve të ish-trajnerit të Teutës. Pranë klubit mësohet se puna do të fillojë shumë shpejt për një Vllazni të fortë në Ligën e Konferencës dhe sërish pretendente për titullin në edicionin 2025-2026. Së fundmi u njoftua largimi i Amir Kahrimanoviç, teksa kroati pritet të pasohet edhe nga disa të tjerë që nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë e klubit. Afrimet e bëra në merkaton e verës dhe në muajin janar nga klubi kanë bindur shumë pak dhe klubi do të kërkojë të ulë shpenzimet me largimet e tyre, për t’i hapur rrugën të tjera prurjeve. Më shumë mundësi tregu i huaj do të jetë epiqendër, duke qenë se edhe limiti i të huajve është hequr dhe lejohet të aktivizohen edhe 11 në të njëjtën kohë.

KARRIERA – Edi Martini e ka nisur karrierën si trajner pikërisht te Vllaznia në sezonin 2009-2010. Në atë kohë ai e drejtonte ekipin kuqeblu në vetëm 16 ndeshje, duke regjistruar 8 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje, mes tyre edhe një finale të Kupës kundër Besës së Kavajës. Më pas ai nisi serinë e emërimeve te Teuta, të cilën e mori në sezonin 2010-2011 dhe e drejtoi në 33 ndeshje.

Dy sezone më vonë ai regjistroi një eksperiencë të shkurtër me Luftëtarin e Gjirokastrës. Pati një pauzë të gjatë sa i përket trajningut dhe më pas e gjithë karriera e tij u lidh me Teutën, duke u emëruar dhe duke u larguar katër herë nga 2019-ta deri në sezonin që shkoi. Te blutë e Durrësit, Martini pati edhe kulmin e tij si trajner, duke arritur të fitojë çdo trofe të mundshëm. Mbetet të shihet se sa do t’ia dalë te Vllaznia.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu