Kuqeblutë, jo vetem që kyesojnë me meritë kampionatin duke qënë në rrugë të mbarë për objektivin e fitimit të titullit kampion për sezonin 2020-2021, por ndërkohë po mendojnë edhe për vazhdimësinë. Më herët, edhe pse ishte në periudhë dëmtimin, ato firmosën me mbrojtësin Fangaj që ishte në mbyllje të kontratës me Laçin për t’u rikthyer në Shkodër pranë Vllaznisë ku ka dalë si futbollist.
Ndërkohë, objektivi i radhës për drejtuesit ishin mbrojtësi Erdenis Gurishta dhe mesfushori Arsid Kruja, të cilëve në mbyllje të këtij sezoni futbollistik u mbaron kontrata me Vllazninë. Dhe, pas bisedave kokë më kokë me sponsorin Alban Xhaferi, mbrëmjen e së premtes është rënë dakord që të dy futbollistët në fjalë të vijojnë bashkëpunimin me Vllzaninë.
Një gjë të tillë e konfirmon zyrtarisht, vetë klubi kuqeblu, teksa në faqen zyrtare të tij publikon marrëveshjen në fjalë shoqëruar edhe me foton e dy futbollistëve me sponsorin Alban Xhaferi: “Dy nga lojtarët më të spikatur kuqeblu, Kapiteni Gurishta dhe mesfushori Kruja kanë rinovuar sot edhe për dy sezone të tjera me ekipin e Vllaznisë si pjesë e rëndësishme e projektit afatgjatë për rikthimin tek suksesi.”