Vllaznia, në merkato. Projektohen dy ish-ët e Kombëtares, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi

Vllaznia duket se do ta ketë shumë seriozisht në merkaton e kësaj vere. Shkodranët, të cilët nuk arritën të fitonin sërish titullin kampion, duket se kanë një “fiksim” për rikthimin te triumfi. Dhe kjo mund të arrihet vetëm emra të rëndësishëm dhe kampionë. E të tillë janë emrat e dy futbollistëve që po qarkullojnë së fundmi në ambientin kuqeblu. Fjala është për Odise Roshin dhe Endri Çekiçin.

ROSHI – Sipas asaj që mëson “Panorama Sport”, kuqeblutë po bëjnë sondazhet e tyre për afrimin e të paktën njërit prej ish-futbollistëve të kombëtares shqiptare. Kontaktet e para kanë nisur që para përfundimit të sezonit 2024-2025. Roshi, i cili aktivizohet në Turqi me ekipin e Erzurumspor, ka një kontratë që i përfundon në muajin qershor me bardheblutë. Pas dështimit për t’u ngjitur në Ligën e Parë të Turqisë, duket e vështirë që fieraku të rinovojë marrëveshjen. Megjithatë, nga sa mësohet, për 33-vjeçarin interes ka shfaqur edhe Flamurtari. Është edhe miqësia e tij e ngushtë me Balajn që shtyn të lakohet emri i fierakut në Shkodër. E kështu duket se do ketë një garë për të siguruar shërbimet e tij.

ÇEKIÇI – E njëjta situatë paraqitet edhe për Çekiçin, i cili ka një kontratë të vlefshme deri në fundin e qershorit me skuadrën e Adanaspor. Edhe pogradecari del futbollist i lirë, pavarësisht se synimi i tij kryesor është ta vijojë karrierën jashtë vendit. Për momentin kontaktet janë vetëm në hapat e para dhe nuk dihet se çfarë mund të dhurojnë ditët në vijim. Por diçka është e qartë, që Vllaznia do ta ketë seriozisht në merkato, me kuqeblutë, që duan të ndërtojnë një ekip të fortë për edicionin e ardhshëm, aq sa të konkurrojnë emra si Egnatia dhe Dinamo, që po shpenzojnë shifra të konsiderueshme dhe kanë afruar lojtarë mjaft cilësorë.

ENDRI ÇINARI-

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu