Fiks, në orën 05.00 të mëngjezit të sotëm, kuqeblutë e Vllaznisë kanë lënë qytetin e Shkodrës për të udhëtuar drejt aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, prej nga fluturojnë për në Islande.
Ashtu si edhe në udhëtimin e mëparshëm për në Riga të Letonisë, i vlefshëm për turin e parë të UEFA Conferencë League, edhe ky i sotmi për turin e dytë të këtij kompeticioni, është planifikuar që skuadra të udhëtojë në një grup të vetëm, ndërkohë që pjesa tjetër e delegacionit sportive shkodran, stafit të presidencës, shoqërues të tjerë, gazetarë sportiv nga Shkodra dhe Tirana, kanë fluturim më vete.
Sa i përket skuadrës, tekniku Edi Martini ka pasur mundësinë të shfrytëzojë edhe pasditen e djeshme të së hënës për të zhvilluar seancën e funditstërvitore në Shkodër duke formatuar thuajse plotësisht emrat që do ta nisin nga minuta e parë sfidën ndaj Vikingur.
Megjithatë, ajo që do të vendosë përfundimisht në këtë aspekt pritet të jetë seanca stërvitore e së mërkurës, e fundit për pragndeshjen Vikingur-Vllaznia, e cila është planifikuar të zhvillohet në stadiumin e Rejkjavikut ku do të zhvillohet ndeshja zyrtare e së enjtes.
Pozitive për stafin teknik është se me skuadrën kanë udhëtuar sot edhe dyshja sulmuese, Mensah-Bismark, për të cilët pati një problem në procedurën e marrjes së vizave, por me ndërhyrjen e presidentit të KF Vllaznia, Alban Xhaferi pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, falë edhe mbështetjes së përshpejtimit të procesit nga ana e Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, është bërë e mundur plotësimi i dokumentacionit edhe për këto dy futbollistë, të cilët janë në dispozicion të trajnerit Edi Martini për sfidën e së enjtes, Vikingur-Vllaznia. Ky është, ballafaqimi i dytë për turin e dytë të UEFA Conferencë League, ndërkohë që sfida e parë e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” një javë më parë është fituar nga Vllaznia me rezultatin 2-1.